Pas rikthimit në seancën e Kuvendit për herë të katërt për shkak të ndërprerjeve dhe tensioneve, deputeti Taulant Balla propozoi në emër të PS mbylljen e diskutimeve, për shkak të pamundësisë së vijimit të saj dhe kalimit të saj në votim të projektligjeve.
Por seanca u shty për në orën 18:30, ku do kalohet direkt te votimi i projektligjeve, disa prej të cilëve me shumicë të cilësuar, pasi nuk bëheshin numrat e deputetëve, teksa opozita refuzoi të merrte pjesë.
Të lidhura
None found
Një prej tyre, Amnistia Penale, kërkon patjetër 84 vota që të kalojë.
Por si rrodhën ngjarjet në Kuvend?
“Pas një tentative si asnjëherë më parë, në pamundësi të zhvillimit të saj, propozoj ndërprerjen e diskutimeve, për bllokimin e Kuvendit dhe ligjeve. Kjo është turp i madh që bie mbi ju. Jemi për 2 ligje që janë për axhendën evropiane, për të dëgjuar ministrin e Jashtëm për integrimin e Shqipërisë në BE. Jemi në kushtet që propozoj ndërprerjen e diskutimeve, interpelancat që quhen të ekzekutuara dhe të kalojmë direkt në votim, propozoj që kjo të hidhet në votim”, tha kreu i grupit të PS, Taulant Balla.
Opozita kundërshtoi përsëri duke bllokuar Foltoren e Kuvendit, kurse Peleshi u shpreh se i kishte ftuar kryetarët e grupeve parlamentare, por ata të opozitës nuk ishin paraqitur.
“Ju ftova krerët e grupeve parlamentare, por ata të opozitës nuk erdhën. Nuk ka mënyrë tjetër për ta zgjidhur këtë bllokim, nuk gjej asnjë zgjidhje, ndaj zoti Balla propozon ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin direkt në votim”, tha ai mes të tjerash.
Me shumicë votash nga mazhoranca u votua me 79 vota pro dhe dy kundër për miratimin e ndërprerjes së diskutimeve dhe kalimin direkt në votim.
Interpelancat u konsideruan të ezauruara dhe do kalohej direkt te votimi i projektligjeve në rend dite.
Peleshi dha edhe 5 minuta të tjera pushim para se të votohej.
Por pas rikthimit në sallë, seanca nisi me një propozim të ri të kreut të grupit të PS, taulant Balla, pasi disa nga projektligjet kërkonin shumicë të cilësuar.
“Zoti kryetar i Kuvendit, për shkak se sot kemi votime me numër të cilësuar dhe për shkak të deputetëve që kërkojnë kohë për të ardhur, propozoj që votimi të rifillojë në porën 18:30”, tha Balla.
Kjo solli reagimin e fortë të deputetëve të opozitës që kërkuan llogari pse po shtyhej votimi dhe seanca.
Peleshi i njoftoi se po shtyhej vetëm në orar dhe nuk po anulohej.
“Seanca ka votuar për ndërprerjen e diskutimeve pas mungesës së normalitetit në sallë. Tani vetëm po shtyhet sipas propozimit të zotit Balla dhe po kalon në votim ky propozim”, tha Peleshi.
Me 77 vota pro dhe asnjë kundër apo abstenim, u vendos që në orën 18:30 të votohej direkt në seancën e Kuvendit, për pikat e tjera të rendit të ditës, kryesisht projektligjet, mes tyre Amnistia Penale dhe Kodi Rrugor.
Seancë Plenare 18 Qershor 2026:
“Rendi i ditës:
Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 11.6.2026.
Njoftime.
Informim mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian, në kuadër të procesit të negociatave të anëtarësimit.
Interpelancë urgjente me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Interpelancë me Zëvendëskryeministren e Republikës së Shqipërisë, znj. Albana Koçiu, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
Interpelancë me Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.
Seancë pyetje – përgjigje me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputeti Erald Kapri.
Projektligji “Për dhënie amnistie”.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8378, datë 22.07.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.
Projektligji “Për sektorin e energjisë elektrike”.
Projektligji “Për informacionin elektronik të transportit të mallrave”.
Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Projektvendimi “Për miratimin e Planit Strategjik të Kuvendit të Shqipërisë 2026 –2030”.
Projektvendimi “Për ngritjen e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik në përbërje të Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat”.
Projektvendimi “Për ngritjen e Nënkomisionit për Administratën Publike në përbërje të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike”.
Projektvendimi “Për ngritjen e Nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm në përbërje të Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm”.
Projektvendimi “Për ngritjen e tri nënkomisioneve në përbërje të Komisionit për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural”.
Projektvendim “Për ngritjen e Nënkomisionit për Integritetin e Informacionit Publik, Dezinformimin dhe Ndërhyrjet e Huaja në përbërje të Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik”.
Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës”.
