Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi sot se ka miratuar vënien në zbatim të sistemit të kontrolleve të përbashkëta kufitare “One Stop Shop” me Republikën e Shqipërisë, sipas komunikatës zyrtare qeveritare.
Me këtë vendim, sipas autoriteteve, përmbyllet procesi i shtrirjes së këtij sistemi me tri shtetet fqinje të Republikës së Maqedonisë së Veriut që nuk bëjnë pjesë në zonën Shengen, duke qenë se ai është tashmë në funksion me Serbinë dhe Kosovën.
Të lidhura
None found
Megjithatë, për ta mbyllur plotësisht këtë procedurë, mbetet ende të firmoset marrëveshja mes dy ministrive të punëve të brendshme.
Zbatimi i sistemit do të nisë fillimisht në pikën kufitare të Qafë Thanës dhe më pas do të shtrihet edhe në pikat e tjera kufitare me Shqipërinë. Ky mekanizëm pritet të sjellë kalim më të lehtë, më të shpejtë dhe më të sigurt në kufirin shtetëror, sidomos gjatë sezonit veror, kur fluksi i udhëtarëve rritet ndjeshëm dhe kur më herët qytetarët kanë shprehur shpesh shqetësime për pritjet e gjata në kufi.
Sipas komunikatës, nevoja për një zgjidhje të tillë pasqyrohet qartë nga numri i lartë i udhëtarëve në pikat kufitare me Republikën e Shqipërisë.
Gjatë vitit 2025, në këto pika kufitare janë regjistruar në total 4.581.724 udhëtarë, ndërsa 2.318.080 prej tyre vetëm në pikën kufitare të Qafë Thanës.
“Këto shifra e theksojnë rëndësinë e vendosjes së sistemit ‘One Stop Shop’, i cili do të mundësojë qarkullim më të shpejtë dhe më efikas të udhëtarëve, si dhe do të kontribuojë në uljen e kohës së pritjes në kufi”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së RMV-së.
