Ernest Muçi, po thyen rekorde si 25-vjeçari që është produkt i futbollit shqiptar. Dje u zyrtarizua nga Trabzonspor, që vendosi të blejë kartonin për 8,5 milionë euro nga Beshiktashi.
Kështu edhe u bë transferimi më i shtrenjtë në historinë e gjigantëve të Trabzonsporit.
Të lidhura
None found
Pogradecari po vendos rekorde të reja dhe kjo nuk është risi. Ishte shkurti i vitit 2021, kur Tirana e shiti për një shifër rekord për klubin prej 500 mijë eurosh.
Asokohe ruajti edhe përqindje nga kartoni. Kështu përfitoi nga shitja e mëvonshme e Muçit, për të qenë aktualisht lojtari që i ka sjellë bardhebluve më tepër të ardhura në historinë e tyre.
Muçi u largua nga Legia e Varshavës për te Beshiktashi, pikërisht në shkurtin e vitit 2024. Shifra prej 10 milionë eurosh e bën Muçin transferimin më të shtrenjtë të gjigantëve të Polonisë.
Beshiktashi asokohe e kishte blerjen e dytë më të shtrenjtë në historinë e klubit.
Trabzonspori e huazoi në shtatorin e vitit të kaluar për 1 milionë euro. Bashkë me shifrën 8,5 milionë euro që duhet paguar për transferimin përfundimitar, lojtari i Kombëtares është edhe më i shtrenjti në historinë e Trabzonit.
Për t’u theksuar edhe paga prej 3,5 milionë euro që përfiton nga kontrata e re. Muçi është tashmë lojtari më i paguar i Shqipërisë.
