Bella Hadid ka tërhequr sërish vëmendjen në Festivalin e Filmit në Kanë, duke u shfaqur me një look elegant dhe plot referenca historike që i bëri homazh ikonës së ndjerë të modës dhe kinemasë, Jane Birkin.
Modelja 29-vjeçare parakaloi në tapetin e kuq të mërkurën, më 20 maj, e veshur me një krijim spektakolar nga shtëpia e modës Schiaparelli, gjatë premierës së filmit “La Bataille De Gaulle: L’Âge De Fer” (De Gaulle: Tilting Iron).
Hadid zgjodhi një fustan ngjyrë fildishi, i dizenjuar nga drejtori artistik i Schiaparelli-t, Daniel Roseberry, i cili spikaste për detajet luksoze dhe punimin artizanal. Fustani kishte një dekolte të thellë të zbukuruar me një gur të zi në qendër, qëndisje të imta, prerje elegante dhe një bisht të gjatë dramatik që e bëri paraqitjen edhe më mbresëlënëse.
Të lidhura
None found
Sipas informacioneve të publikuara, krijimi u realizua pas një pune të jashtëzakonshme, me rreth 22,160 orë qëndisje dhe kontributin e 130 artizanëve.
Bella e kompletoi look-un me vathë diamanti, një unazë elegante dhe një stil flokësh të tërhequr mbrapa, duke i dhënë paraqitjes një prekje klasike dhe të sofistikuar.
Pamja e saj u konsiderua si një homazh i drejtpërdrejtë ndaj Jane Birkin, e cila në vitin 1969 kishte veshur një fustan ikonik në Kanë me elementë të ngjashëm – veçanërisht detajin e zi në dekolte dhe punimet e stilit dantellë.

Megjithatë, Bella Hadid solli një version modern të kësaj frymëzimi, me një siluetë më të ngushtë, linja më sensuale dhe mëngë të gjata në formë zileje, duke kombinuar elegancën vintage me stilin bashkëkohor.
Me këtë paraqitje, Bella Hadid jo vetëm që dominoi tapetin e kuq në Kanë, por edhe riktheu në vëmendje një nga look-et më të paharrueshme të historisë së festivalit.
