Bashkia e Tiranës ka vendosur shtyrjen e afatit për aplikimin e qytetarëve për kredi të buta, pas njoftimit se “e-Albania” që do të jetë jashtë funksionit në datat 15-18 maj. Gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak e cila u zhvillua ditën e sotme, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani u shpreh se të gjitha ditët që do të jenë të pamundura për funksionim do të zëvendësohen dhe afati i ri për momentin është data 22 maj.
Ristani theksoi se nëse do të ketë nevoja të tjera për shtyrje të afatit do të adresohen. Kjo në mënyrë që asnjë qytetar të mos ngelet jashtë programit të kredive të buta, për probleme teknike.
Të lidhura
None found
“Siç jeni në dijeni, Bashkia e Tiranës ka nisur procesin e aplikimit për kredi të buta për vitin 2026. Procesi ka nisur më 20 prilli dhe është parashikuar të zgjasë deri më 19 maj. Aplikimet kryhen online përmes portalit “e-Albania”. Deri më sot që flasim, janë kryer 2600 aplkime. Por, sipas një njoftimi të portalit “e-Albania” dhe sipas problematikave që ka pasur, të gjitha ditët që do të jenë të pamundura për funksionim që janë njoftuar nga data 15-18 maj, do të zëvendësohen dhe afati i ri për momentin është data 22 maj.
Por nëse do të ketë nevoja të tjera për shtyrje të afatit do të adresohen. Kjo është për të thënë që asnjë qytetar që do përpiqet të bëhet pjesë e këtij programi nuk do të pengohet nga këto probleme teknike dhe do të kompensohen me kohën e përshtatshme për çdo ditë që E Albania nuk do të funksionojë”, deklaroi Ristani.
