PSG-ja nuk fitoi Champions me treshen Mesi-Nejmar-Mbape, trajneri i asaj kohe te francezët zbulon arsyen

Maurisio Poçetino drejtoi PSG-në për një sezon 2021/22, kur në skuadër ishte treshja Lionel Mesi, Nejmar dhe Kilië Mbape. Pavarësisht kualitetit të lartë, francezët nuk arritën të fitonin Championsin, dhe për herë të parë e bënë vjet me Luis Enriken si trajner dhe me më pak emra të njohur.

Por pse ky trofe nuk u fitua kur sulmi udhëhiqej nga treshja spektakolare?

Të lidhura

None found

Në një intervistë me kanalin në YouTube “We Are The Overlap”, trajneri i asaj kohe rrëfeu mosmarrëveshjet në fushë midis Mesit dhe Mbapes në veçanti.

“Mesi donte ta ndërtonte lojën nga mbrapa, ngadalë, me kombinime dhe pasime, sepse ai ka aftësinë të kontrollojë topin dhe të driblojë një, dy ose tre lojtarë”, kujtoi ai.

Megjithatë, ky stil binte ndesh me qasjen e preferuar të Mbapes: “Nga ana tjetër, Mbape, nëse ne luanim thellë dhe e merrnim topin mbrapa, do të kërkonte hapësirë. Bëhej fjalë për ti dhënë atij topin dhe për ta lënë të vraponte. Por kur luanim për Mesin, Mbape thoshte: ‘Forca ime është vrapimi’.

Nëse do të luanim për Mbapen, nuk do të mund të luanim për Mesin”, deklaroi trajneri aktual i Shteteve të Bashkuara.

Mesi mbërriti në klub në vitin 2021 pas largimit të tij të dhimbshëm nga Barcelona dhe siç e pranoi Poçetino, gjeti një mjedis armiqësor: “Atmosfera në Francë ishte shumë armiqësore ndaj tij. Ai mbërriti pa asnjë përgatitje parasezonale, pas një goditjeje të fortë emocionale, dhe nuk ishte e lehtë”.


Shtuar 5.05.2026 15:59