Interi bëhet gati për festën që priti për 37 vite, Lautaro kërkon të luajë ndeshjen historike

Interi luan sot ndaj Parmës në kampionat një ndeshje e cila pritet të sjellë titullin e 21-të në historinë e ekipit zikaltër.

Falë barazimit të djeshëm të Napolit, zikaltrit janë tashmë vetëm 1 pikë larg sigurisë matematikore të titullit dhe duan ta mbyllin çdo llogari përballë tifozëve të tyre, në një ngjarje të rrallë që mungon prej 37 vitesh. Ishte viti i largët 1989 kur Interi siguronte për të herë të fundit matematikisht titullin në “San Siro” si pritës, ndaj të gjithë po bëhen gati për një mbrëmje të veçantë.

Të lidhura

None found

Stadiumi është mbushur pasi janë shitur të gjitha biletat dhe do të jenë mbi 75 mijë persona të pranishëm, me koreografi speciale të përgatitur për një mbrëmje që pritet të jetë e veçantë. Klubi ka prenotuar një lokal për të grumbulluar skuadrën pas ndeshjes, ndërsa pas dy javësh, në sfidën ndaj Veronës në shtëpi, do të bëhet edhe festa “zyrtare” me trofeun që do t’i dorëzohet ekipit.

Ndërkohë, sot pritet të jetë në fushë edhe Lautaro Martinez, i cili ka kërkuar specifikisht që të ketë disa minuta në dispozicion në fund të takimit, për të shijuar atmosferën te vërshëllima finale që dekreton suksesin e radhës të tij me fanellën zikaltër.


Shtuar 3.05.2026 09:59