Prokurori i SPAK, Dritan Prençi kërkoi të mërkurën në gjykatë sekuestrimin e rreth 100 pasurive të Anton Gjinajt alias Pashuk Gjinit, në një proces që zgjat prej tre vitesh dhe ka pësuar shtyrje të vazhdueshme.
Pasuritë u sekuestruan për shkak se Gjinaj është dënuar për krime të lidhura me drogën në Spanjë. Kompania Alessio 2014, një nga kompanitë e ndërtimit që është kontraktuar nga autoritete të ndryshme shtetërore apo ka punuar si nënkontraktor në ndërtim rrugësh, është një nga kompanitë që SPAK vlerëson se janë krijuar nga të ardhura nga aktivitetet kriminale të Gjinajt e që duhet konfiskuar.
Të lidhura
None found
Po ashtu, u kërkua konfiskimi i kompanisë Foralb Alabastër, në të cilën, përveç Gjinajt është aksionere edhe ministria e Ekonomisë. Pasuritë e Gjinajt dhe personave të lidhur me atë, janë sekuestruar me kërkesë të SPAK që prej korrikut të vitit 2022.
SPAK vëren se Pashuk Gjini u dënua në Spanjë në vitin 2010 si pjesëtar i një grupi kriminal të cilit iu sekuestruan mbi 50 kilogramë heroinë, e cila dukej se kishte për destinacion tregun e zonave të turizmit detar në Alicante, Spanjë. Ai shpëtoi nga drejtësia spanjolle dhe erdhi në Shqipëri, ku u mor me biznes. Në vitin 2011 ai ndryshoi emrin në Anton Gjinaj.
Sipas prokurorisë, nga hetimi pasuror i kryer bazuar në ligjin e quajtur “Antimafia”, rezulton se Gjinaj dhe familja e tij kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri dhe Spanjë./BIRN
