Denoncimi i PD: E-albania s’ punon, janë shpenzuar para për sisteme që nuk funksionojnë, nuk është rastësi që SPAK sekuestroi 40 mln euro në kuadër të hetimeve të AKSHI-t

Në një deklaratë për mediat, Partia Demokratike, ka denoncuar sot mosfunksionimin e sistemit E-albania, duke penguar qytetarët të aplikojnë për kredi të butë, program i cili u hap pak ditë më parë nga bashkia Tiranë.

Zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, thotë se dhjetëra denoncime tregojnë se aplikimi është i pamundur për shkak të problemeve në komunikimin me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Të lidhura

None found

Ajo deklaron se janë shpenzuar miliona euro nga taksat e shqiptarëve për këto sisteme që sot nuk funksionojnë.

“Vetëm në tre vitet e fundit, mbi 8.5 milionë euro janë dhënë për ‘mirëmbajtje dhe përmirësim’ të sistemit të gjendjes civile. Rezultati është i qartë dhe i turpshëm: fondet janë shpenzuar ndërsa sistemi nuk punon. Ky realitet ngre pyetje për menaxhimin e fondeve publike dhe për përgjegjësinë institucionale. Nuk është rastësi që SPAK ka sekuestruar mbi 40 milion euro në kuadër të hetimeve të dosjes së Akshit”, thotë Vangjeli.

Deklarata:

Partia Demokratike denoncon një tjetër dështim të shërbimeve publike digjitale, që po u mohon qytetarëve një të drejtë themelore: aksesin në programet e strehimit social.

Sipas njoftimit zyrtar, aplikimet për fazën e parë të përfitimit nga programet e strehimit social duhet të kryhen nga data 20 Prill deri më 19 Maj 2026, ekskluzivisht përmes portalit e-Albania.

Por në realitet, sistemi nuk funksionon.

Dhjetëra denoncime tregojnë se aplikimi është i pamundur për shkak të problemeve në komunikimin me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Vetë portali ka pranuar publikisht ndërprerje dhe mirëmbajtje të sistemit, por ajo që po ndodh nuk është as ‘ndërprerje e përkohshme’ dhe as ‘ngadalësim’. Është një kolaps i plotë i shërbimit.

Pamundësia për të aksesuar shërbimet digjitale po sjell pasoja konkrete: bllokim aplikimesh, vonesa në regjistrime, pamundësi për të përmbushur detyrime ligjore dhe humbje të të drejtave të garantuara me ligj.

Çdo ndërprerje, edhe e përkohshme, krijon pasiguri, kosto dhe penalitete për qytetarët që varen nga këto sisteme.

Ndërkohë, miliona euro nga taksat e shqiptarëve janë shpenzuar për këto sisteme që sot nuk funksionojnë.

Vetëm në tre vitet e fundit, mbi 8.5 milionë euro janë dhënë për ‘mirëmbajtje dhe përmirësim’ të sistemit të gjendjes civile. Rezultati është i qartë dhe i turpshëm: fondet janë shpenzuar ndërsa sistemi nuk punon.

Ky realitet ngre pyetje për menaxhimin e fondeve publike dhe për përgjegjësinë institucionale.

Nuk është rastësi që SPAK ka sekuestruar mbi 40 milion euro në kuadër të hetimeve të dosjes së Akshit.

Përfundimi është i thjeshtë dhe alarmant: qytetarët po lihen pa shërbim, ndërsa fondet publike shpërdorohen.

Sa kohë që në krye të qeverisë qëndron Edi Rama, shqiptarët do të vazhdojnë të përballen me shërbime që dështojnë dhe me premtime që mbeten vetëm propagandë.

Partia Demokratike kërkon:

Vënien e menjëhershme në funksion të sistemit të aplikimit;

Garantimin e aksesit të plotë për çdo qytetar që kërkon të përfitojë nga programet e strehimit social;

Transparencë të plotë mbi fondet e shpenzuara dhe përgjegjësi për dështimin e sistemit.

Programet sociale janë një detyrim ndaj qytetarëve dhe duhet të funksionojnë pa justifikime.

Qytetarët meritojnë shërbime që punojnë, jo premtime që dështojnë.


Shtuar 24.04.2026 11:20