RAPORTI I ETF/ Vetëm 1.6% e të rriturve në trajnime profesionale, Shqipëria shumë larg objektivit 47% të BE-së

Shqipëria po mbetet shumë pas në përfshirjen e të rriturve në arsim dhe trajnime profesionale.

Sipas një raporti të fundit të European Training Foundation, vetëm 1.6% e personave të moshës 25-64 vjeç morën pjesë në programe aftësimi gjatë vitit 2024, një nivel shumë i ulët krahasuar me objektivin e Bashkimit Evropian prej 47% për vitin 2025.

Të lidhura

None found

Raporti nxjerr në pah disa probleme kryesore që pengojnë zhvillimin e aftësive në vend. Një prej tyre është mungesa e një ligji të posaçëm për arsimin e të rriturve, çka krijon paqartësi dhe mungesë koordinimi mes institucioneve.

Edhe pse ekzistojnë strategji, zbatimi i tyre has vështirësi në praktikë.

Një tjetër problem lidhet me pjesëmarrjen shumë të ulët të të rriturve në trajnime. Kjo lidhet me mungesën e kulturës për të mësuar gjatë gjithë jetës, por edhe me pengesa si kostot dhe mungesa e kohës për personat në punë.

Situata është e vështirë edhe në drejtim të aftësive digjitale. Mbi gjysma e popullsisë së rritur nuk ka njohuri bazë në teknologji, duke e bërë të vështirë përshtatjen me kërkesat e tregut të punës.

Probleme ka edhe në shpërndarjen e qendrave të trajnimit, të cilat janë të përqendruara kryesisht në Tiranë dhe Durrës, ndërsa zonat e tjera mbeten me pak mundësi. Po ashtu, infrastruktura e trajnimeve është e vjetruar dhe nuk përputhet me nevojat e sektorëve modernë si teknologjia apo energjia e gjelbër.

Financimi i këtij sektori mbetet i dobët dhe i varur nga donatorët, ndërsa bashkitë rrallëherë investojnë në arsimin e të rriturve. Një tjetër pengesë është mungesa e njohjes së aftësive të fituara në mënyrë joformale, që penalizon shumë punëtorë me përvojë.

Raporti paralajmëron se pa investime më të mëdha dhe ndryshime në politika, Shqipëria rrezikon të mbetet me një fuqi punëtore të pakualifikuar, çka ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik dhe në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian./monitor


Shtuar 17.04.2026 08:33

Tags: ,