Vrau prindërit e ish-partnerit dhe trupat i fshehu në valixhe, shqiptarja dënohet me 30 vite burg (EMRI)

Gjykata e Kasacionit në Itali, ka lënë në fuqi dënimin me 30 vite burg për 42-vjeçaren shqiptare Elona Kalesha, e akuzuar për vrasjen e prindërve të ish-partnerit të saj, një çështje që ka zgjatur për vite.

Ngjarja kthehet pas në vitin 2015, në Firence, kur Sheptim dhe Teuta Pasho u zhdukën në rrethana të paqarta. Ata kishin udhëtuar drejt Italisë për të pritur lirimin e djalit të tyre nga burgu, i cili në atë kohë ishte në një lidhje me Kaleshën.

Të lidhura

None found

Pas mbërritjes, familjarët humbën çdo kontakt me ta, çka çoi në denoncimin e zhdukjes nga vajzat e çiftit.
Për disa vite, rasti mbeti pa zhvillime konkrete, deri në fund të vitit 2020, kur hetuesit zbuluan trupat e viktimave të copëtuar dhe të fshehur në katër valixhe, në një zonë të izoluar pranë burgut të Sollicciano-s.

Gjatë gjykimit, e pandehura ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në krim. Megjithatë, sipas përfundimeve të hetimeve, autoritetet italiane e konsideruan atë si personin kyç pas vrasjes.

Prokuroria ka lënë të hapur mundësinë se krimi mund të jetë kryer me ndihmën e një personi tjetër, por deri tani nuk është identifikuar asnjë bashkëpunëtor. Me këtë vendim të formës së prerë nga Kasacioni, çështja mbyllet përfundimisht në planin gjyqësor.


Shtuar 16.04.2026 10:16