E përditshmja spanjolle ‘Sport’ është hapur sot me lajmin e interesimit të katalanasve për mbrojtësin qendror të Interit.
“Bastoni i përzgjedhuri” është tituli kryesor dhe një foto e mbrojtësit të Interit. Sipas gazetës spanjolle, Bastoni është objektivi kryesor i Barcelonës në merkaton e verës për të forcuar mbrojtjen.
Drejtuesit katalanas dhe trajneri Hansi Flick po shohin që tani për përforcimet dhe mbrojtësi italian ndiqet prej kohësh. Një kontakt mes palëve – sipas “Sport”, – ka pasur në nëntor të vitit të kaluar, kur Deco fluturoi drejt Milanos për të takuar përfaqësuesit e Interit në lidhje me lojtarin që ka kontratë deri në qershor 2028.
Bastoni nuk ua ka mbyllur derën spanjollëve, të cilët tani kanë bindjen për të investuar tek ai. Interi e vlerëson mbrojtësin rreth 60 milionë euro dhe Barcelona ka gati një ofertë, ku parashikohet edhe përfshirja e një lojtari në këtë operacion. Emri që ngjall më shumë interes për zikaltrit është ai i Gerard Martín, që pëlqehet gjithashtu edhe nga Milani.
