Një mjek dyshohet se është organizatori i eliminimit të presidentit të Haitit

Policia në Haiti tha se ka arrestuar një mjek, që beson se është “i dyshuari kryesor” në organizimin e vrasjes së presidentit haitian, Jovenel Moise.

Policia tha se Christian Emmanuel Sanon, 63 vjeç, shtetas i Haitit, ka shkuar atje me avion privat në fillim të qershorit, për “motive politike”.

Shefi i policisë, Leon Charles, tha se plani fillestar ka qenë të arrestohet presidenti, por “misioni pastaj ka ndryshuar”.

Charles nuk dha më shumë hollësi.

Presidenti Moise, 53 vjeç, është vrarë në rezidencën e tij më 7 korrik.

Policia ka fajësuar më herët 28 mercenarë të huaj.

Gruaja e presidentit, Martine Moise, është plagosur në sulm dhe pastaj është dërguar për trajtim në SHBA.

Ajo ka thënë se sulmi ka ndodhur aq shpejt, saqë burri i saj nuk ka qenë në gjendje të thotë “asnjë fjalë të vetme”.

Një delegacion i zyrtarëve të lartë të sigurisë dhe drejtësisë amerikane ka arritur të dielën në Haiti për të vlerësuar situatën e sigurisë.

Moise ka qenë president i Haitit – vendit më të varfër në dy Amerikat – qysh në vitin 2017.

Ai është përballur me akuza për korrupsion dhe është sfiduar nga disa protesta anti-qeveritare./REL


Shtuar 12.07.2021 12:20