Këtë të enjte, Gjykata e Lartë, ka rrëzuar sërish rekursin e ish presidentit Ilir Meta për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Kreu i PL-së, ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024.
Ai kërkonte heqjen e masës së sigurisë, duke arsyetuar se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret për ta mbajtur në qelitë e paraburgimit, por pretendimet e ish-kreut të shtetit nuk u morën në konsideratë nga gjykata supreme.
Meta është rrëzuar edhe më herët nga të tre shkallët e gjyqësorit për ndryshimin e masës së sigurisë. Ai ka argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për ta mbajtur në paraburgim dhe se masa ‘arrest me burg’ është e pajustifikuar dhe jo proporcionale në raport me rrethanat e çështjes.
Më herët, gazetarja Klodiana Lala, raportoi se Meta kishte hequr dorë nga kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” që kishte paraqitur në GJKKO.
Kërkesa për ndryshimin e masës ishte depozituar më herët, por gjatë seancës së zhvilluar në GJKKO ai ka vendosur të tërhiqet.
Kreu i Partisë së Lirisë i është drejtuar gjithashtu edhe Gjykatës Kushtetuese për masën e sigurisë.
Kujtojmë që ish presidenti është dërguar për gjykim për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë. Hetimet e SPAK u bazuan në tre çështje: CEZ-DIA, lobimi i LSI-së në SHBA dhe hetimi pasuror.
