Këtë të enjte, Kuvendi i Shqipërisë do të vendosë mbi fatin e ish-ministres Belinda Balluku. Në orën 10.00, Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes, një çështje që pritet të shoqërohet me debate dhe tensione politike.
Sipas njoftimit të rendit të ditës, kjo pikë do të jetë e para në axhendë, menjëherë pas nisjes së seancës në orën 10:00.
Prokuroria e Posaçme, i ka kërkuar Kuvendit autorizim për arrestimin e Ballukut, duke argumentuar se deputetja ka intimiduar dëshmitarë dhe mund të përbëjë rrezik për provat në hetim.
Megjithatë, Partia Socialiste, i ka dalë në krah deputetes së saj dhe ka vendosur të refuzojë kërkesën e SPAK, duke mbajtur qëndrimin kundër heqjes së imunitetit.
Kuvendi i Shqipërisë, ka publikuar agjendën e punimeve të seancës së 12 marsit, ku pritet të diskutohet kërkesa për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut.


Sipas agjendës së Kuvendit, para prezantimit të dy raporteve të përgatitur nga PD dhe PS në Këshillin e Mandateve, do të shprehet deputetja Belinda Balluku.
Më pas opozita do të paraqesë raportin e hartuar nga anëtarët e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin
Gjithashtu dhe shumica parlamentare, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, do të paraqesin qëndrimin e tyre dhe më pas do të hidhet për votim.
Ky projektvendim kërkon shumicë të thjeshtë votash për miratim.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike, ka paralajmëruar se do të këmbëngulë për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke e konsideruar këtë një test për drejtësinë dhe për luftën kundër korrupsionit.
Për shkak të qëndrimeve të forta politike nga të dyja palët, priten përplasje dhe tensione gjatë seancës plenare, ndërsa paralelisht opozita ka paralajmëruar edhe protestë jashtë Parlamentit.
