ROBOTËT KINEZË PËR USHTRINË! Serbia synon robotë ushtarakë nga Kina, ekspertët shprehin dyshime

Ushtria e Serbisë mund të pajiset në të ardhmen me robotë ushtarakë nga Kina. Paralajmërimi erdhi nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, i cili deklaroi se vendi i tij mund të ketë “mijëra robotë të armatosur” në paradën e ardhshme ushtarake gjatë vitit 2026.

Sipas tij, një hap i tillë do të rriste më tej kapacitetet mbrojtëse të shtetit. Vuçiç tha gjithashtu se shpreson në mbështetjen e presidentit të Kinës, Xi Jinping, për realizimin e këtij projekti.

Deklarata u bë në Beograd gjatë prezantimit të një roboti humanoid kinez të quajtur Luka, i zhvilluar nga kompani teknologjike kineze që merren me inteligjencën artificiale dhe robotikën.

Megjithatë, ekspertët e sigurisë shprehen skeptikë për realizimin e këtij plani. Konsulenti për gjeopolitikë dhe siguri në Beograd, Nikola Lunić, tha për Radio Europa e lire se ideja për “mijëra robotë të armatosur” duket më shumë si një mesazh marketingu politik sesa një projekt konkret ushtarak.

Sipas tij, ushtritë moderne ende nuk kanë robotë humanoidë të armatosur që përdoren realisht në terren. Në praktikë, robotët përdoren kryesisht për mbikëqyrje, logjistikë ose për transportimin e pajisjeve për ushtarët.

Ndërkohë, Serbia tashmë ka rritur bashkëpunimin ushtarak me Kinën gjatë viteve të fundit. Ushtria serbe përdor dronë luftarakë kinezë dhe sisteme kundërajrore.

Ekspertët paralajmërojnë se blerja e robotëve humanoidë do të ishte shumë e kushtueshme për Beogradin, pasi vetëm disa qindra njësi mund të kushtojnë dhjetëra milionë dollarë, ndërsa “mijëra robotë” do të kërkonin qindra milionë dhe një infrastrukturë të avancuar teknologjike për mirëmbajtje.
Në të njëjtën kohë, thellimi i bashkëpunimit ushtarak mes Serbisë dhe Kinës mund të rrisë tensionet diplomatike me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat prej kohësh paralajmërojnë për rreziqet e afrimit strategjik mes Beogradit dhe Pekinit.


Shtuar 7.03.2026 16:38