Në tryezën e zhvilluar mbi konsultimet për reformën zgjedhore, deputeti i PD dhe bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, duke folur për rolin e partive politike në sistemin demokratik, theksoi rëndësinë e transparencës dhe të financimit të partive për ruajtjen e pluralizmit politik.
Gjithashtu, Bylykbashi deklaroi se është e domosdoshme krijimi i një “barriere” që mban pluralizmin politik të shëndetshëm.
“Transparenca nuk funksionon pa ujë në burim. Financimi duhet të jetë i mjaftueshëm dhe i shëndoshë, që partitë të funksionojnë brenda sistemit parlamentar”, u shpreh ai.
Bylykbashi theksoi nevojën për të gjetur një ekuilibër mes transparencës dhe pluralizmit.
“Partitë politike janë organizma që kanë rol themelor në formimin e pluralizmit. Është e rëndësishme që gjatë këtyre viteve është vënë theksi tek transparenca. Duke shmangur korrupsionin apo influencat kriminale apo faktorëve të tretë. Duhet të krijojmë një barrierë për të mbajtur të shëndetshëm pluralizmin politik.
Transparenca nuk funksionin pa patur ujë në burim. Ne duhet të kujdesemi që financimi të jetë i mjaftueshëm dhe i shëndoshë që partitë të funksionojnë në sistemin parlamentar. Duhet të bëjmë një balanca mes transparencës dhe pluralizmit.
Tema sot është si të ndërtojmë një sistem financimi dhe transparencë të financimit që prodhon pluralizëm dhe jo një regjim financiar që do të ekspozonte partitë politike, kryesisht atyre të opozitës, karshi instrumenteve kontrollues të një shteti të kapur, apo një shteti që ka hyrë dhe ka pushtuar zgjedhjet”, deklaroi deputeti i PD.
