Vrasja e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në sulmet ajrore amerikano-izraelite ka tronditur ekuilibrat globalë dhe ka futur Lindjen e Mesme në “ujëra” të reja tensioni.
Republika Islamike është përfshirë nga një valë zemërimi dhe kërcënimesh, ndërsa udhëheqja ushtarake e vendit paralajmëron kundërpërgjigje të ashpër.
Garda Revolucionare Islamike, forca elitare e regjimit, ka shpallur hapur synimin për hakmarrje. Në një njoftim për shtyp, ajo paralajmëroi nisjen e “operacioneve më të mëdha ushtarake në historinë e forcave të armatosura iraniane kundër Izraelit dhe bazave amerikane në rajon”. Deklarata ka ngritur alarmin në kryeqytetet perëndimore, duke shtuar frikën për një përshkallëzim ushtarak mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë, në Evropë po rritet shqetësimi për pasoja të mundshme të konfliktit. Autoritetet gjermane nuk përjashtojnë skenarë hakmarrjeje edhe në territorin evropian. Pas konsultimeve emergjente me Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Berlin, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se aktualisht nuk ka prova për një rritje të ndjeshme të nivelit të kërcënimit në Gjermani, por theksoi se situata po monitorohet “nga afër dhe në mënyrë intensive”.
“Për momentin, nuk ka indikacione për një nivel shumë të lartë kërcënimi, por jemi vigjilentë”, u shpreh Merz, duke nënvizuar se shërbimet e inteligjencës dhe policia gjermane janë në gatishmëri të shtuar.
Kancelari kujtoi se gjatë dekadës së fundit ka pasur sulme të përsëritura kundër iranianëve në mërgim në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës, duke theksuar se shërbimet iraniane të inteligjencës kanë qenë aktive në territorin evropian. Për këtë arsye, menjëherë pas sulmeve në Iran janë zhvilluar diskutime për forcimin e masave të sigurisë.
Ministri federal i Brendshëm, Alexander Dobrindt, ka zhvilluar konsultime urgjente me ministrat e brendshëm për të koordinuar një strategji të përbashkët reagimi. Prioritet absolut, sipas qeverisë në Berlin, mbetet mbrojtja e institucioneve hebraike, izraelite dhe amerikane.
“Ne nuk do të tolerojmë asnjë sulm antisemit apo antiamerikan në tokën gjermane”, theksoi Merz, duke dërguar një mesazh të qartë për çdo përpjekje destabilizimi.
