Ndalohet një grua në Kakavijë, tentoi të dalë nga Shqipëria me 35 mijë euro të padeklaruara

Policia ka ndaluar ditën e sotme një grua në pikën kufitare të Kakavijës, teksa po tentonte të dilte nga Shqipëria. Në çantën e saj u gjetën 34 700 euro të padeklaruara.

Ndaj saj nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Gjithashtu, u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në dalje, u krye kontroll në çantën e shtetases D. B., ku u gjetën 34 700 euro, të cilat ajo nuk i kishte deklaruar konform ligjit. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasen D. B., banuese në Burrel. Gjithashtu, u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, shuma e eurove. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 17.02.2026 18:08