Kreu i PD, Sali Berisha mbajti sot fjalimin e radhës nga foltorja e vendosur përpara godinës së Kryeministrisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe kapje të shtetit.
Berisha tha se çdo pasuri e fituar në mënyrë të paligjshme do t’i merret dhe do të kthehet në vite burg për kryeministrin. Ai përshëndeti të rinjtë, adoleshentët dhe studentët që sipas tij u bënë “tmerri i narkoregjimit më 10 shkurt” dhe theksoi se kryengritja e sotme është paqësore, duke shtuar se kjo është mënyra më e drejtë për t’u kundërvënë qeverisë.
Ish-kryeministri dënoi gjithashtu dhunën e ushtruar ndaj protestuesve dhe i bëri thirrje forcave të rendit të qëndrojnë në detyrë pa u ndikuar nga “banditët në drejtim”. Ai paralajmëroi se për çdo cenim personal ndaj qytetarëve, përgjegjësi do të mbajë vetëm Edi Rama.
Berisha: Edi Rama, i ke hesapet gabim. Ke vjedhur shumë. Çdo pasuri që ke vënë në dorë do t’ju merret, dhe do t’ju dalë prej hundësh; do t’ju kthehet në vite burg. Ne jemi në shesh, në kryengritje paqësore. Asnjë forcë në botë nuk mund ta ndalojë.
Përshëndes Ilirin, që u sulmua nga snajperi kriminel në ballë, teksa filmonte protestën. Përshëndes gjithashtu protestuesit e tjerë që morën plumba në kokë. Kjo është një kryengritje paqësore, sepse në fakt, ti meriton çdo variant. Ne mund të të jepnim çdo përgjigje, por kryengritja paqësore është zgjidhja jonë.
Për çdo cenim personal, do të ketë një përgjegjës – vetëm Edvin Kristaq Rama. U bëj thirrje mercenarëve: mos qëlloni mbi protestuesit, sepse protestuesit do të veprojnë vetëm mbi ty.
20 shkurti është dita e krenarisë sonë. Shkojmë më krenar se asnjëherë më parë, sepse më 20 shkurt i treguam shqiptarëve se ne nuk pajtohemi kurrë me një organizatë kriminale. Shkojmë në një kohë kur kemi marrë të betuar misionin e shpëtimit të Shqipërisë.
Kemi kaluar mbi tanka dhe autoblinda, duke sfiduar kultin më të keq të Enver Hoxhës. Ftoj çdo shqiptar të jetë në Tiranë në ora 6, kur e gjithë Tirana të derdhet në rrugë. Shqipëria është në Tiranë. Le të dalim zot të vendit tonë dhe t’i japim goditjet e merituara regjimit anti-shqiptar të Edi Ramës.
Me asgjë nuk ndalemi. Ne jemi njerëz që besojmë në të vërtetën. Duam që ky vend të jetë toka e bekuar e shqiptarëve. Këta janë armiqtë më të këqinj.
