Ilir Alimehmeti: Ballukut t’i hiqet imuniteti, rrugë dhe tunele po shemben…

Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, shprehet se parlamenti duhet të heqë imunitetin e zv/kryeministres së pezulluar nga detyra, Belinda Balluku, për shkak se është e akuzuar për korrupsion.

Por, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, vuri në dukje se mazhoranca po reziston duke e mbrojtur zyrtaren socialiste dhe kjo ka sjellë misionin e opozitës që me protesta popullore të kërkojë rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhjet e lira.

Gjithashtu, ai tha se as shembja e rrugëve të reja dhe tuneleve që rrezikojnë jetën e qytetarëve, nuk mjaftojnë për t’i hequr imunitetin ministres.

“Mazhoranca po mbron zv/kryeministren e akuzuar për korrupsion. Do flasim për ato rrugët dhe tunelet që u rrëzuan atje. Si ka mundësi kjo. Ndaj hapi i parë është kjo, që është imuniteti i ministres”, tha ai për “News 24”.

Alimehmeti nënvizoi se protestat opozitare, do jenë të vazhdueshme dhe se tani opozita është më e bashkuar edhe pas hapit të parë të dialogut në Forumin Politik, me bashkim edhe të partive të tjera.

“Protestat e opozitës do jenë të vazhdueshme. Kërkesat janë të qarta, një dorëheqje e qeverisë, krijimi i një qeverie teknike që të çojë në zgjedhje të lira e të ndershme, ndaj qëllimi është ky dhe mënyra për ta realizuar është kjo, me protesta të vazhdueshme”, tha ai.

Ai vuri në dukje se abuzimet e kësaj qeverie dhe aferat nuk mund të mbrohen më dhe skandali më i fundit i AKSHI-t ishe shembull domethënës për situatën ku ndodhet Shqipëria dhe rrezikun kombëtar.

“Nuk mund të mbrohen më aferat e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut. Shiko se çfarë ndodh te AKSHI, kemi dorëzuar sigurinë kombëtare. Ndaj edhe mes nesh duhet dialog dhe unifikim. Kemi edhe mendime të ndara, por synimi kryesor mbeten largimi i Ramës dhe i qeverisë”, u shpreh ai.


Shtuar 12.02.2026 15:51