E kam si familje të dytë: DJ Gimbo flet për raportin e ngushtë me Gjestin

DJ Gimbo ka folur hapur për marrëdhënien e ngushtë që ka me Gjestin, një raport që sipas tij shkon shumë përtej bashkëpunimit profesional dhe shndërrohet në lidhje familjare. Në një deklaratë të bërë së fundmi, ai ka ndarë detaje emocionale për miqësinë shumëvjeçare dhe për periudhën e vështirë që familja e artistit ka kaluar pas humbjes tragjike.

Gimbo thekson se prej tetë vitesh punon pa ndërprerje me Gjestin dhe se gjatë gjithë kësaj kohe raporti mes tyre është forcuar çdo ditë e më shumë. “Që tetë vjet punojmë dhe nuk jemi ndarë kurrë. Babai i tij është babai im, motra e tij është motra ime”, u shpreh ai, duke nënvizuar se lidhja e tyre është e sinqertë dhe e bazuar në respekt të ndërsjellë.

Ai shtoi se pas tragjedisë së ndodhur në familjen e Gjestit, ka qenë pranë tyre jo vetëm si mik, por si pjesë e familjes. DJ Gimbo rrëfeu se ka qëndruar për rreth dy muaj në shtëpinë e artistit, duke e përjetuar nga afër dhimbjen dhe pikëllimin që ka lënë pas kjo humbje e rëndë. “E kam si familje të dytë. Edhe sot e kësaj dite nuk jam kthjell, ende e shoh në ëndërr”, tha ai.

Vëllai i Gjestit humbi jetën në shtator të vitit të kaluar si pasojë e një aksidenti me motoçikletë, një ngjarje që tronditi jo vetëm familjen, por edhe rrethin e ngushtë shoqëror. DJ Gimbo thekson se në këto momente të vështira ka qenë gjithmonë pranë familjes, duke u përpjekur të ofrojë mbështetje dhe ngrohtësi njerëzore.


Shtuar 3.02.2026 11:36