Eria Ago e cila dyshohet se ka ndihmuar Safet Bajrin në vrasjen e Fatbardh Licit, ka kërkuar lirinë në Gjykatën e Lartë. Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit të Posaçëm i zbuti masën nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”. Ago ësgtë arrestuar më 26 shkurt të vitit 2025.
Ajo akuzohet se ka drejtuar një prej makinave të përdorura gjatë kësaj ngjarje. Ajo ka mohuar çdo akuzë lidhur me përfshirjen e saj në vrasjen e Licit. Kjo duke deklaruar se është e pafajshme dhe nuk ka asnjë lidhje me krimin e ndodhur.
Arrestimi i Safet Bajrit
Safet Bajri u arrestua më 21 shkurt 2025. Bashkë me masën “arrest me burg” GJKKO ka miratuar me kërkesë të SPAK edhe kërkesën për kryerjen e një analize të ADN-së së Safet Bajrit. Sipas raportimeve, ditën që u soll nga Shkodra në policinë e Tiranës e pranishme ka qenë edhe ekspertja që do të merrte kampionet për ADN, por nuk është lejuar në atë moment nga i arrestuari, i cili ka kërkuar të bëhet në një ditë tjetër.
Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme, pas ekzekutimit të masave të arrestit ndaj tyre thuhej se ndaj Bajrave dhe Bilalit rëndojnë akuzat për “Vrasje me paramendim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Dyshohet se të tre personat e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë organizuar dhe kryer vrasjen e Fatbardh Licit. SPAK ka bërë me dije se ka mbledhur prova të mjaftueshme për të zbardhur ekzekutimin e Licit. Në njoftimin e prokurorisë thuhej gjithashtu se motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet me faktin që Behar Bajri ka bërë fajtor Ibrahim Licin për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Boran Bërçana. Kështu për të marrë hak, Bajrajt dhe Bilali kanë vrarë Fatbardh Licin më 8 gusht të vitit 2018.
