DOKUMENTET/ SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut, ministrja tenton të emëroj mikeshën e bashkëpunëtores së saj të ngushtë në Komisionin e Prokurimit Publik

Megjithëse Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK për dy çështje tenderash dhe nën hetim për gjithsej 11 procedura, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë po tenton një emërim të ri personal, të konsideruar me gjasë problematik, në Komisionin i Prokurimit Publik (KPP).

Emri që po diskutohet si kreu i KPP-së është ai i Irma Drobonikut, e cila më herët ka mbajtur funksionin e Sekretares së Përgjithshme të KPP, në periudhën kur institucioni drejtohej nga Jonaid Myzyri. Myzyri është pezulluar nga detyra me kërkesë të SPAK dhe është i marrë pandehur për shkelje të barazisë në tendera.

Burime jozyrtare pohojnë se Irma Droboniku ka lidhje të afërta personale dhe profesionale me Viola Haxhiademi, deri para pak ditësh Sekretare e Përgjithshme dhe krahu i djathtë i Ballukut.

Dokumente zyrtare të siguruara tregojnë se Droboniku ka një njohje mbi 20-vjeçare me Haxhiademin dhe Ballukun, si dhe kanë punuar së bashku në Bashkinë e Tiranës dhe në Albcontrol SHA.

Sipas burimeve jozyrtare, dy javë më parë, SPAK ka kryer veprime procedurale, përfshirë sekuestrim telefoni dhe kontroll banese, ndaj Irma Drobonikut dhe Viola Haxhiademit, në kuadër të hetimeve që lidhen me çështjet për të cilat po hetohet edhe Balluku.

Deri në këto momente, SPAK nuk ka bërë një njoftim publik zyrtar për këto veprime, ndërsa mësohet se Irma Droboniku është nën hetim për dy nga 11 rastet për të cilat po hetohet Balluku.

Zhvillimet vijnë në një kohë kur SPAK ka intensifikuar hetimet mbi procedurat e prokurimit publik, ndërsa çdo lëvizje në KPP shihet si me ndikim të drejtpërdrejtë në proceset aktualisht nën hetim.

Dokumentet administrative të publikuara tregojnë se Irma Droboniku:

• në vitin 2006 konfirmohet dhe promovohet si nëpunëse civile në Bashkinë e Tiranës;

• në vitin 2014 emërohet në Albcontrol SHA si Shefe e Sektorit të Asistencës Ligjore, përmes urdhri të firmosur;

• në vitin 2018 emërohet Drejtore e Drejtorisë Juridike në Albcontrol SHA;

• në vitin 2021 emërohet Sekretare e Përgjithshme e Komisionit të Prokurimit Publik, gjatë drejtimit të institucionit nga Jonaid Myzyri.


Shtuar 26.01.2026 18:28