Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Sali Berisha e nisi fjalën e tij me një mesazh të qartë dhe të fuqishëm.
Edhe pse mediat tentuan ta harronin ose ta minimizonin, ai theksoi: “Me ndihmën e Zotit, asgjë nuk do të na ndalë drejt fitores sonë.
Jemi para një triumfi të madh, dhe asnjë pengesë nuk mund të na ndalë në rrugën tonë.”
FJALA E BERISHËS
Të dashur qytetare dhe qytetarë, demokrate dhe demokratë, opozitarë dhe opozitare, të pranishëm në këtë shesh dhe kudo që jeni sonte.
Të dashur shqiptare dhe shqiptarë kudo që ndodheni sonte.
Përshëndetjet e mia më të përzemërta për ju, misionare dhe misionarë të pamposhtur dhe guximtarë të kombit shqiptar, të pranishëm sonte në këtë shesh beteje dhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Të nderuar drejtues të PD, partive aleate, të nderuar deputetë të pranishëm në këtë protestë.
Vëllezër dhe motra.
Do ta nis këtë fjalë me një mesazh që këtë javë, të tmerruar nga protesta jonë e kaluar, mediat e qeverisë bënë gjithçka ta vendosin në harresë.
Mesazhi im është ky, sot ne jemi në kilometrin e fundit, me ndihmën e Zotit asgjë nuk do na ndalë drejt fitores tonë.
Sot ne jemi para triumfit të madh, shumëkujt triumfi mund t’i duket ende larg kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria.
Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë së bashku vitet e fundit ka qenë pa dyshim maratonë jo e lehtë.
Thuaj një kalvar maratonë e mbushur me dhunën e narkoshtetit, presione dhe izolime oruelliane ndaj nesh, por edhe një qëndresë stoike, sakrifica të dhimbshme nga ne.
Ishin vitet e një përballje të egër me regjimin e narko-diktatorit Ramaduro, biri i një xhelati që firmoste varjen e kundërshtarëve politikë dhe që përdori të gjitha mënyrat për realizimin e projektit të tij, Shqipëria pa opozitë.
Ai bëri gjithçka, përdori burgjet, manipulimet, lobimet e korruptuara, por ja ku jemi sot, më të fortë se kurrë.
Në udhëtimin tonë, që në kilometrat e parë, ne u dëshmuan shqiptarëve dhe botës, se projekti i Shqipërisë pa opozitë apo kallp opozitë, ishte turpi i tyre, ishte turpi i historisë, që ne kurrë nuk do ta pranonim kurrë, të gatshëm për çdo çmim.
Në këtë udhëtim ne u ngritëm si Feniksi nga hiri dhe nga izolimi më i thellë arritëm në kilometrin e fundit si forca politike më e mbështetur nga shqiptarët dhe partitë simotra në mbarë botën.
Arritëm në kilometrin e fundit pasi plagosëm për vdekje bishën narkodiktaturë dhe u dëshmuam shpresa e vetme e shqiptarëve. Zoti u bekoftë!
Në udhëtimin tonë epik, ne u provuam shqiptarëve dhe botës se jemi të pamposhtur dhe se sot në kilometrin e fundit jemi më të fortë, më të vendosur se kurrë në ekzistencën tonë.
Me punë, me vështirësi, me sakrifica, me presione të shumëllojta, por sot jemi mbledhur masivisht në këtë protestë madhështore, secili nga ne duhet të rikujtojë ato që në realizuam së bashku me qëndresën tonë, me mbrojtjen e të vërtetave që besojmë gjatë kësaj opozite të vështirë.
Në këtë udhëtim, duke qëndruar të palëkundur dhe sy më sy me narkoshtetin, në mbrojtje të të vërtetave tonë, të vlerave të lirisë, ne siguruam 7 rezoluta ndërkombëtare të të gjitha partive të spektrit tonë, që qeverisin vendet më të lira, më të fuqishme të planetit dhe që de facto e kaluan PD-në nga forca politike më e izoluar në opozitën me mbështetjen më të madhe në arenën ndërkombëtare.
7 rezoluta që damkosën para shqiptarëve dhe botës Ramaduron si armikun më të egër të pluralizmit politik dhe të shqiptarëve.
Narkodiktatorin që ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, si kryeministrin që plaçkit dhe grabit i papërmbajtur qytetarët shqiptarë.
Si Çubrilloviçin e spastrimit të heshtur etnik të shqiptarëve nga Shqipëria.
Duke vërtetuar kështu se PD është jo vetëm parti e qendresës së pamposhtur, por njëherëzi parti e realizimit të të pamundurave për kombin shqiptar.
Parti e vizionit të sotëm dhe të ardhëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Të dashur miq, në udhëtimin tonë të vështirë, ne vazhduam punën për të përmbushur një tjetër premtim që u dhamë shqiptarëve, mbrojtjen e votës.
Dhe falë punës tuaj të ndershme me vetëmohim, falë dokumenteve tona, falë përkushtimit dhe persistencës, arritëm që raporti ndërkombëtar i OSBE/ODIHR sot është dokumenti, ligji ndërkombëtar që faktoi se Edi Rama shndërroi zgjedhjet e vitit 2025 në një farsë të shëmtuar elektorale.
Përpjekjet e lobimit të tij korruptiv për të parandaluar këtë raport, dështuan plotësisht.
Miq, jo vetëm kaq, por ne në fakt këto vite u përballëm si asnjë opozitë tjetër në Europë, jo vetëm me një qeveri autoritare, por edhe me një qeveri organizatë kriminale, të kryesuar nga Ramaduro i Europës, dhe de facto e drejtuar nga klanet më të rrezikshme, më të fuqishme të marijuanës, kokainës në Europë dhe në botë.
Miqtë e mi, ne u përballëm këto vite me sundimin e drogës, me urdhrat, vendimmarrjet e saj, ne u përballëm me një propagandë që në 24 orë mashtron, trillon dhe manipulon shqiptarët.
Ne u përballëm me një sundim të medieve nga narkoqeveria që po adaptojnë një censurë të tmerrshme ndaj opozitës.
Ne u përballëm me glorifikimin e të keqes, demonizimin e të vërtetës, demonizimin e opozitës.
U përballëm me një qeveri kriminale që vjedh miliarda e miliarda euro nga taksat dhe pasuritë publike, dhe vjedhjet e saj i shndërron në vota, votat i shndërron në vjedhje të reja.
Miqtë e mi, nuk e bëj pa qëllim këtë rikujtesë të viteve të fundit, por e bëj se pas kësaj maratone të gjatë, opozita ka arritur tani pikërisht në kilometrin e fundit, përpara triumfit të saj dhe këtu nuk do kishim arritur kurrë pa bërë punën që kemi bërë, pa arritjet që përmenda, pa pasur si parti të vërtetë opozitare PD-në, pa mbështetjen ndërkombëtare që kemi sot, pa dokumentet që faktojnë farsën elektorale, misioni ynë shpëtimi i Shqipërisë do mbetej thjesht një aspiratë, pa mundësi reale për t’u konkretizuar.
Ndaj dhe njëherë të dashur demokrate e demokratë, nuk jemi kurrë aty ku ishim, nuk jemi më në rrugë pa krye, nuk jemi në mjegullnajë, por jemi në kilometrin e fundit, jemi në agun e triumfit tonë.
Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se Edi Rama nuk ikën me farsë zgjedhore.
Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se diktatura nuk ikën me votë, por ato ikin, shemben me revoltë dhe vetëm me revoltë popullore.
Ja ku jemi ne sot.
