Me 5 muaj vonesë: Çohet në Gjykatë dosja e Saimir Tahirit dhe Jaeld Çelës

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar ditën e djeshme në Gjykatën e Posaçme të Apelit dosjen ndaj Saimir Tahirit dhe ish-drejtorit të Policisë Vlorë, Jaeld Cela.

Dosja përfshin edhe apelimet e palëve u dorëzua me pesë muaj vonesë, pasi sipas ndryshimeve ligjore të reformës duhej bërë njoftimi i të pandehurve. Por për shkak se Jaeld Cela është në kërkim , kjo procedurë ka zgjatur derisa ai ka marrë dijeni përmes avokatit. Sot rreth orës 13:00, Gjykata e Posaçme do hedhë shortin për të përcaktuat trupën që do gjykojë ish-ministrin e Brendshëm dhe Jaeld Celën, të shpallur fajtor për shpërdorim detyre.

Ndërkohë, gjyqtarja për median, Saida Dollani sqaroi për Top Channel:

Në përgjigje të kërkesës tuaj, regjistruar me nr. 10 Prot., datë 19.02.2020, bazuar në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën për informim”, si dhe nenit 46 të ligjit 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” ju bëjmë me dije se:

Procedura e “Dërgimit të akteve”, parashikohet shprehimisht nga neni 419 i K.Pr.Penale, i cili përcakton se, brenda pesë ditëve nga realizimi i njoftimeve, Gjykata që ka dhënë vendimin i dërgon aktet e procedimit dhe të ankimeve në gjykatën që do shqyrtoj çështjen. Pikërisht, bazuar në këtë dispozitë procedurale, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pas procedurës së njoftimeve ka dërguar aktet e procedimit dhe ankimet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.


Shtuar 20.02.2020 08:33