DEKLARONI PAGAT REALE! Tatimet nisin kontrollet për verifikim nga sektori i ndërtimit

Nga 15 janari, Administrata Tatimore ka nisur kontrollet për verifikimin e deklarimit e deklarimit të pagava në sektorin e ndërtimit në zbatim të një plani të posaçëm për deklarimin real dhe rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore

Masat vijnë rreth gati 1 muaji pas publikimit të listës së pagave indikative sipas profesioneve në këtë sektor nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Nëse një kompani ndërtimi deklaron paga nën nivelin minimal të referencës për profesionet bazë, ajo do të konsiderohet me risk për nën-deklarim.

Konkretisht, deklarimi i një page më të ulët se 80 mijë lekë për punonjësit bazë apo më pak se 160 mijë lekë për një vinçier, që konsiderohet ndër profesionet me pagën më të lartë në sektor, do të ngrejë dyshime për shmangie të detyrimeve

Kontrollet do të përqendrohen kryesisht te subjektet e vlerësuara me risk për nëndeklarim pagash, të cilat janë njoftuar më herët nga Administrata Tatimore përmes sistemit elektronik e-Filing, por nuk kanë reflektuar ndryshime në listë-pagesa.

Administrata Tatimore bën me dije se disponon të dhëna të detajuara nga burime të ndryshme, përfshirë deklaratat tatimore, listëpagesat mujore, faturat e fiskalizuara, si dhe informacion nga institucione dhe aktorë të tjerë publikë e privatë

Tatimpaguesit ftohen të deklarojnë çdo punonjës të punësuar, të pasqyrojnë pagat reale sipas profesionit dhe tregut të punës, si dhe të përmbushin saktë të gjitha detyrimet fiskale.

Administrata Tatimore paralajmëron se mosdeklarimi i punonjësve dhe nëndeklarimi i pagave përbëjnë shkelje të rënda dhe do të sjellin masa administrative dhe ligjore, përfshirë kontrolle të thelluara dhe monitorim të vazhdueshëm të aktivitetit.

Ndërkohë, u bëhet thirrje të gjithë tatimpaguesve në sektorin e ndërtimit të marrin masat e nevojshme ligjore për deklarimin korrekt të pagave, me qëllim shmangien e penaliteteve dhe uljen e informalitetit në ekonomi.


Shtuar 17.01.2026 15:35