Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtor Besart Logun për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1/4 i Kodit Penal.
Gjykimi u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar, dhe trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Flojera Davidhi dhe Erjon Bani, vendosi të dënojë Logun me 2 vjet burgim, që më pas u ul me 1/3 sipas nenit 406 të Kodit Penal, duke e çuar dënimin në 1 vit e 4 muaj.
Gjykata urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të burgimit dhe vendosi që ai të jetë në provë për një periudhë 2 vjet e 8 muaj, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
Për më tepër, Logut i është hequr e drejta për të ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë 9 muajsh, ndërsa të gjitha shpenzimet procedurale gjatë hetimit dhe gjykimit i ngarkohen atij.
Provat materiale që u përdorën për vendimin përfshijnë DVD dhe CD me përgjime ambientale dhe komunikime audio e video midis të pandehurit dhe agjentëve të koduar, datuar 09 dhe 13 dhjetor 2024.
