Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, njoftoi se presidenti në detyrë i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë akuzuar zyrtarisht në Distriktin Jugor të Nju Jorkut.
Sipas Bondi-t, Maduro akuzohet për: narco-terrorizëm, importim të kokainës, mbajtje të armëve automatike dhe pajisjeve shkatërruese dhe mbajtjen e këtyre armëve kundër SHBA-së.
Bondi theksoi se, “së shpejti ata do të përballen me gjithë ashpërsinë e drejtësisë amerikane në gjykatat e SHBA-së”, ndërsa nuk dha detaje mbi akuzat ndaj bashkëshortes së tij.
Prokurorja gjithashtu, falenderoi ushtrinë amerikane për operacionin e guximshëm dhe të suksesshëm, i cili solli arrestimin e dy të dyshuarve si trafikantë ndërkombëtarë droge, duke e cilësuar një ndërhyrje historike në Venezuelë.
Shtetet e Bashkuara, kanë nisur një sulm të madh në disa vende në Venezuelë, përfshirë bazat ushtarake në vend.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ushtria amerikane ka “kapur Presidentin Venezuelian Maduro dhe gruan e tij, Cilia Flores, dhe i ka nxjerrë jashtë vendit “, në një aksion të kryer “në koordinim me administratën e drejtësisë amerikane”.
Trump , i cili urdhëroi sulmin, kishte ngritur në javët e fundit mundësinë e sulmeve tokësore kundër Venezuelës në emër të një “lufte kundër karteleve të drogës” dhe kishte deklaruar se ditët e Presidentit Venezuelan Nicolás Maduro ishin “të numëruara” .


