Gjykata e Lartë e Izraelit i ka bërë një “goditje” të rëndë Benjamin Netanyahut, kjo pasi ka nxjerrë një urdhër përmes së cilit bllokon komisionin hetimor mbi përgjegjësitë për masakrën e 7 tetorit 2023, i krijuar nga kryeministri dhe i besuar Kontrollorit të Shtetit, Matanyahu Englman. Një komision që, sipas kritikëve të tij të shumtë është politikisht i orientuar dhe nuk ka kushtet e nevojshme të paanshmërisëm raporton La Repubblica.
Urdhri i imponon Englmanit të ndërpresë hetimin dhe i ndalon si vijimin e marrjeve në pyetje, ashtu edhe publikimin e çdo përfundimi, madje edhe pjesor, të punës së kryer deri tani.
“Një ngjarje si katastrofa e 7 tetorit, ka komentuar OJQ-ja ‘Lëvizja për një qeverisje cilësore’, kërkon një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm, të cilin vetëm një Komision shtetëror mund ta garantojë”.
Përbërja dhe mandati i Komisionit kanë qenë prej muajsh në qendër të një përplasjeje shumë të ashpër mes Netanyahut dhe shumicës së tij qeverisëse nga njëra anë, dhe nga ana tjetër partive të opozitës, ushtrisë dhe grupeve që mbrojnë shtetin e së drejtës. Pikërisht ushtria dhe shoqatat ishin drejtuar Gjykatës së Lartë për të ndalur punën e Englmanit.
