Një nga temat e bashkëbiseduara në Foltoren e kryetarit të PD-së Sali Berisha në Korçë, ishte edhe ajo e zërave kundër në parti dhe veçanërisht lëvizja e Ervin Salianjit.
Në diskutimet nga fundi i takimit, një prej qytetarëve të pranishëm në sallë e këshilloi kryedemokratin që të kishte kujdes nga “njerëzit që mban pas vetes”.
Edhe të tjerë më herët kritikuan lëvizjen e Salianjit me qëllim dëmtimin e partisë, sikurse edhe disa zërave të tjerë kundër PD-së që kanë dalë në media.
Berisha i vuri në dijeni mbështetësit se është në dijeni të të gjithë situatës, ka informacionin e nevojshëm dhe konstatoi se ata “kanë kaluar vijat e kuqe” dhe se “po dëmtojmë partinë”.
“I kemi këta, ne pranojmë kritika, i dëgjojmë demokratët, i pranojmë. Ama ka disa që kanë kaluar vijat e kuqe. Nuk na merr dot ne kush nëpër këmbë, ka rregulla. Ne mblidhemi të gjithë bashkë, shkëmbejmë mendime, e patë ju, thotë gjithato, por këtu nuk thotë asnjë fjalë. Ndiq interesin tënd ndryshe, ne jemi parti e hapur, i themi hapur gjërat”, u shpreh ai.
Kreu i selisë blu shpjegoi se opozita ka vetëm interesat e lirisë dhe dinjitetit dhe se askush nuk mund ta marrë peng.
Ai i cilësoi zërat kundër jo vetëm të pakët, por edhe si njerëz që kanë “bizneset dhe interesat e tyre të rregullta”, që mund t’i ndjekin ato, por pa dëmtuar PD-në.
“Kjo opozitë nuk ka interesa të tjera veç lirisë dhe dinjitetit që të na e marrë ndokush peng. Ne e kuptojmë, secili mund të bëjë biznesin e vetë, mund të ketë kontratat e tij të rregullta, e kuptoj, dakord, por të na tërheqë ne, gabon rëndë, e kjo nuk mund të ndodhë kundër. Nuk u ka borxh partia atyre, do ju informoj. Unë i lexoj ato, ti ishe në listë, aq vota more për partinë. Të shprehësh problemet jam dakord, por brenda partisë, por t’i del e flet, kjo s’mund të ndodh. Por këta janë të paktë, ju siguroj”, nënvizoi ai.
Në fund, duke nënkuptuar se këta zëra i bënin shërbim Ramës dhe qeverisë së tij, ai shprehu bindjen se sikurse triumfoi me “Foltoren 1”, po fiton edhe me këtë Foltore të radhës, ku dëgjon zërin e demokratëve brenda partisë.



