“Vetting” amerikan për bizneset/ Opozita e sheh si propagandë nismën e qeverisë: Të përfshihet Parlamenti

Opozita e sheh si të vonuar dhe propagande nismën e qeverisë, e cila parashikon vendosjen e filtrave mbrojtëse ndaj investimet e huaja.

Në një intervistë për Top Channel, Jorida Tabaku vlerëson se Shqipëria ka nevoje për një kornizë ligjore të fortë, transparente dhe në përputhje të plotë me standardet e amerikane dhe europiane.
“Qeveria i lë komplet jashtë interesit infrastrukturën, energjinë dhe të dhënat sensitive. Detyrimi për të bërë një analizë të investimeve të huaja është pjesë e procesit të integrimit. Qeveria shqiptare thotë se do të fillojë me median dhe, në momentin që ne bëhemi vend anëtar i BE-së, do të fillojmë me të gjithë sektorët e tjerë. Në rastin e Shqipërisë, interesi më i madh i partnerëve strategjikë, si europianë ashtu edhe amerikanë, lidhet me fushat kritike.”, shprehet Jorida Tabaku.

Projekti parashikon që Vettingu i investimeve te huaja ti lihet ne dore një komiteti ndërministror, por deputeten demokrate ky mekanizëm nuk garanton kontroll të balancuar, nëse nuk përfshin Parlamentin.
“Të ngrihet një grup në Parlament, ndërmjet Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe Komisionit të Ekonomisë, i cili do të krijonte një check and balance. Sepse qeveria është provuar se ka qenë e paaftë për ta kryer këtë funksion dhe, së dyti, të dhënat personale të shqiptarëve dhe, me rastin e fundit të AKSHI-t, të dhënat e biznesit, të gjendjes civile dhe të dosjeve hetimore janë përdorur edhe për qëllime kriminale dhe presioni. Imagjinoni çfarë mund të ndodhë nesër me projektin e Smart City (kamerat inteligjente), nëse të gjitha këto të dhëna do të jenë të disponueshme nga palë të treta, që mund të përdoren dhe të cenojnë edhe sigurinë kombëtare.”, shton më tej ajo.
Për Jorida Tabakun, nëse qeveria e ka seriozisht dhe nuk po bën një nismë sa për të kaluar radhën, duhet të bëjë publike analizën e investimeve të huaja, duke bërë transparencë, ndërsa kërkon që në sektorët ku ka monopole dhe nuk ka asnjë ofertues tjetër, filtrat të jenë të fortë, në mënyrë që të analizohet prejardhja e tyre.


Shtuar 27.12.2025 15:28