Eksporti i shërbimeve kontabël/ Pse kompanitë europiane po zgjedhin Shqipërinë

Shumë shoqëri audituese kanë filluar të ofrojnë shërbime kontabiliteti për sipërmarrje të huaja, kryesisht italiane. Një program i specializuar zhvillimi profesional dhe promovimi ndërkombëtar po vendos themelet që Shqipëria të bëhet ofrues rajonal i shërbimeve kontabël për tregjet e BE-së. Rezultatet e para tregojnë kapacitete të qëndrueshme teknike, interes real nga firmat vendase dhe ndikim të prekshëm ekonomik për eksport. Avantazhet e kompanive shqiptare dhe potenciali i një tregu që mund të ofrojë më shumë të ardhura për kontabilistë

Dy nga 18 të punësuarit e shoqërisë “Public Accounting Service Union and Trust”, në Tiranë janë të angazhuar gjithë kohës me ofrimin e shërbimeve të kontabilitetit për disa shoqëri italiane. Punët që ata kryejnë janë regjistrimi i faturave blerje e shitje, lëvizjeve bankare, si dhe shërbime të tjera në bazë të kërkesës në bashkëpunim me klientët.

“Nëse ke kontaktet e dukura, kërkesa nga kompanitë italiane është e lartë”, thotë Ilda Duhanxhiu, partnere audituese në shoqërinë “Public Accounting Service Union and Trust”, që ofron shërbime auditimi, kontabiliteti, konsulencë tatimore dhe financiare. Kostot më të lira në Shqipëri janë arsyeja kryesore që tërheq shoqëritë italiane. Për të njëjtën punë si në Itali, fatura në Shqipëri është të paktën 50% më e ulët.

Kësaj i shtohet dhe fleksibiliteti i shoqërive në Shqipëri, që nëse marrin një punë përsipër e bëjnë brenda afatit të përcaktuar, ndërsa në Itali ka kosto shtesë dhe burokraci si paga e 13-të, lejet për sëmundje etj., të cilat zgjasin kohën e ofrimit të punës. “Stafi punon online, direkt në sistem, teksa përparësi është njohja e gjuhës dhe eficienca e punës në hedhjen e faturave, deri dhe në analizimin e tyre”, thotë znj. Duhanxhiu.

Arsyeja tjetër e kërkesës nga shoqëritë e huaja lidhet me mungesën e kontabilistëve në Europë. Ky është një profesion që po preferohet gjithnjë e më pak nga të rinjtë, që duan punë pa shumë angari e me fitim të lartë e të shpejtë.

“Public Accounting Service Union and Trust” po synon që ta zgjerojë më tej këtë shërbim, që do të thotë shtim i numrit të të punësuarve, si dhe diversifikim i të ardhurave të kompanisë. Por, znj. Duhanxhiu shton se ky shërbim nuk është pa probleme, pasi shoqëritë duhet të jenë shumë të kujdesshme me mbrojtjen e të dhënave dhe si rrjedhojë, gjetja e klientëve kërkon kontakte të besuara.

Edhe rënia e vazhdueshme e euros rrit indirekt kostot, që ndryshe parashikohen në fillim të vitit e ndryshe rezultojnë, kur monedha e përbashkët zhvlerësohet gjatë vitit, siç ka ndodhur rëndom vitet e fundit. Sotiraq Dhamo, kryetar i Institutit të Kontabilistëve të Miratuar, thotë se ofrimi i shërbimeve të kontabilitetit jashtë vendit, ose eksportimi i tyre, është një mundësi e mirë për zhvillimin e sektorit, kualifikimin e stafeve të punës dhe forcimin e njohurive.

Megjithatë, sipas tij, ky shërbim përballet me sfida të shumta, që lidhet pikë së pari me njohuri të kufizuara në legjislacionin tatimor të vendit të huaj, si dhe përvoja e mangët. Përmes projekteve të ndryshme, sidomos në tre vitet e fundit, janë zhvilluar programe të reja specializimi për rritjen e kapaciteteve të kontabilistëve në eksportin e shërbimeve.

Një program i specializuar zhvillimi profesional dhe promovimi ndërkombëtar po vendos themelet që Shqipëria të bëhet ofrues rajonal i shërbimeve kontabël për tregjet e BE-së. Rezultatet e para tregojnë kapacitete të qëndrueshme teknike, interes real nga firmat vendase dhe potencial të prekshëm ekonomik për eksport.

Në kuadër të mbështetjes së Qeverisë së Zvicrës përmes SECO dhe asistencës teknike të Bankës Botërore, Shqipëria ka ndërmarrë një seri veprimesh për të pozicionuar profesionin kontabël si një sektor me vlerë të lartë të shtuar dhe të orientuar drejt tregjeve ndërkombëtare.

Sipas informacioneve nga Ministria e Financave, në muajt e fundit, projekti ka prodhuar rezultate të matshme që sinjalizojnë se vendi ka potencial real të konkurrojë në ofrimin e shërbimeve kontabël, financiare dhe të përputhshmërisë për firma në Europë.

Modeli operacional i eksportit të shërbimeve kontabël si funksionon në praktikë

Eksporti i shërbimeve kontabël zakonisht nis me një ndarje të qartë të shërbimeve që ofrohen. Në fazën e parë, firmat hyjnë në treg përmes shërbimeve më standarde dhe rutinore, të ashtuquajturat shërbime me intensitet transaksional.

Këtu përfshihen përpunimi i faturave për t’u paguar dhe për t’u arkëtuar, administrimi i listë-pagesave, rakordimi i llogarive bankare, përpunimi i shpenzimeve të udhëtimit, mbajtja e librave kontabël dhe procedurat mujore ose vjetore të mbylljes financiare. Këto shërbime janë zakonisht pika më e lehtë e hyrjes, pasi kërkojnë procese të standardizuara dhe mund të shkallëzohen relativisht shpejt.

Në një fazë të dytë, firmat kalojnë drejt shërbimeve me vlerë më të lartë të shtuar, që kërkojnë ekspertizë më të avancuar. Këtu përfshihen raportimi menaxherial, buxhetimi dhe parashikimi financiar, mbështetja financiare për projekte, raportimi rregullator dhe i përputhshmërisë, menaxhimi i likuiditetit dhe analizat financiare.

Këto shërbime kërkojnë staf më të kualifikuar, përvojë ndërkombëtare dhe shpesh certifikime profesionale, por edhe gjenerojnë marzhe më të larta dhe marrëdhënie më afatgjata me klientët.

Marrëdhënia kontraktuale me klientët e huaj ndërtohet zakonisht mbi dy dokumente bazë: një përshkrim të detajuar të punës që do të kryhet (Statement of Work – SOW) dhe një marrëveshje për nivelin e shërbimit (Service Level Agreement – SLA).

Dokumenti SOW përcakton qartë proceset që mbulohen, sa shpesh kryhen, çfarë rezultatesh dorëzohen dhe çfarë teknologjish apo sisteme përdoren, si p.sh. sistemet ERP ose harmonizimi i planeve të llogarive.

SLA-ja, nga ana tjetër, vendos tregues të matshëm performance, si koha e përpunimit të faturave, niveli i gabimeve ose koha e reagimit ndaj kërkesave, si dhe penalitete apo mekanizma korrigjimi në rast mosrespektimi. Përvoja ndërkombëtare tregon se kontratat me SLA të qarta rrisin ndjeshëm besueshmërinë e ofertës, pasi ulin rrezikun për blerësin dhe krijojnë transparencë në marrëdhënie.

Përpara lidhjes së kontratës, klientët ndërkombëtarë kryejnë zakonisht një proces verifikimi të thelluar, të njohur si due diligence. Ky proces përfshin kontrollin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, verifikimin e kualifikimeve të stafit, referencat profesionale, kapacitetet ligjore për ofrimin e shërbimit dhe politikat për mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë e informacionit.

Për firmat më të vogla, veçanërisht kur synojnë tregun e BE-së, është thelbësore të demonstrojnë në mënyrë konkrete aftësinë për të ofruar shërbimin.

Kjo bëhet përmes projekteve pilot, provave konceptuale (proof-of-concept), referencave nga kontrata ekzistuese, si dhe dokumentacionit të strukturuar, si manuale procesesh dhe ndarje të qarta të përgjegjësive. Këto elemente janë shpesh vendimtare për të fituar besimin e klientëve ndërkombëtarë dhe për të kaluar nga potenciali teorik në kontrata reale eksporti.

Çfarë modeli mund të ndjekë Shqipëria?!

Përvoja e vendeve që kanë arritur të eksportojnë me sukses shërbime kontabël dhe financiare tregon se hyrja në tregjet ndërkombëtare nuk ndodh rastësisht, por përmes modeleve të provuara dhe të ndërtuara gradualisht.

Një nga modelet më të përhapura është ai i Qendrave të Shërbimeve të Përbashkëta ose Qendrave të Shërbimeve Kontabël dhe Financiare, të njohura si SSC ose AFSC. Këto janë struktura që ofrojnë shërbime për disa klientë ose për disa njësi të të njëjtit grup dhe krijojnë avantazhe të forta në shkallëzim, trajnim të përqendruar të stafit dhe eficiencë kostosh.

Në vende si Rumania, krijimi i këtyre qendrave në qytete si Cluj apo Bukuresht ka qenë një shtysë kryesore për zhvillimin e eksporteve të shërbimeve financiare dhe BPO, duke kontribuar në diversifikimin e ekonomisë dhe rritjen e eksporteve të shërbimeve me vlerë të shtuar.

Rumania përfaqëson një nga shembujt më domethënës në rajon. Qytete si Cluj dhe Bukuresht janë shndërruar në qendra rajonale për shërbime financiare dhe BPO falë një kombinimi faktorësh: disponueshmërisë së fuqisë punëtore të kualifikuar në financë dhe IT, kostove konkurruese dhe lidhjeve të forta mes universiteteve dhe industrisë.

Modeli rumun është ndërtuar mbi qendra të mëdha SSC, bashkëpunim të strukturuar akademi–biznes dhe partneritete ndërkombëtare, duke e bërë atë një referencë të vlefshme për Shqipërinë, sidomos në fazën fillestare të zhvillimit të këtij sektori.

Modeli

Rumania përfaqëson një nga shembujt më domethënës në rajon. Qytete si Cluj dhe Bukuresht janë shndërruar në qendra rajonale për shërbime financiare dhe BPO falë një kombinimi faktorësh: disponueshmërisë së fuqisë punëtore të kualifikuar në financë dhe IT, kostove konkurruese dhe lidhjeve të forta mes universiteteve dhe industrisë.

Edhe Polonia dhe vendet baltike kanë ndërtuar me sukses oferta konkurruese në shërbimet financiare, duke kombinuar aftësitë në teknologji informative me njohuritë rregullatore dhe certifikimet profesionale. Një nga mësimet kryesore nga këto vende është se ndërthurja e kontabilitetit me IT-në, përfshirë afërsinë me zhvillimin e softuerëve dhe automatizimin e proceseve, rrit ndjeshëm konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare.

Sipas Ministrisë së Financave, që është e angazhuar në projektin e SECO dhe asistencës teknike të Bankës Botërore, një avantazh specifik për Shqipërinë lidhet me modelin e nearshoring-ut të kombinuar me oferta të specializuara.

Afërsia gjeografike, përputhja e orareve të punës, lidhjet kulturore dhe gjuhësore, si dhe kostot konkurruese e bëjnë Shqipërinë një partner potencialisht tërheqës për tregje si Italia apo Greqia. Tregu ndërkombëtar shpesh favorizon zgjidhje që janë afër, fleksibile dhe më ekonomike sesa alternativat vendase, veçanërisht për shërbime të standardizuara ose të përsëritshme.

Një model tjetër i rëndësishëm është partneriteti me organizatat profesionale të kontabilitetit, të njohura si PAO. Marrëveshjet e bashkëpunimit me organizata të njohura ndërkombëtare, si ACCA, struktura të lidhura me AICPA ose organizata kombëtare homologe në vendet pritëse, rrisin ndjeshëm besueshmërinë e firmave shqiptare dhe lehtësojnë aksesin në rrjete profesionale dhe klientësh.

Ky model, sipas financave, është veçanërisht i rëndësishëm për firmat e vogla dhe të mesme, të cilat nuk kanë kapacitet të hyjnë drejtpërdrejt në kontrata të mëdha ndërkombëtare, por mund të pozicionohen përmes rrjeteve profesionale të konsoliduara.

Avantazhi

Një avantazh specifik për Shqipërinë lidhet me modelin e nearshoring-ut të kombinuar me oferta të specializuara. Afërsia gjeografike, përputhja e orareve të punës, lidhjet kulturore dhe gjuhësore, si dhe kostot konkurruese e bëjnë Shqipërinë një partner potencialisht tërheqës për tregje si Italia apo Greqia. Tregu ndërkombëtar shpesh favorizon zgjidhje që janë afër, fleksibile dhe më ekonomike sesa alternativat vendase, veçanërisht për shërbime të standardizuara ose të përsëritshme.

Përpara se të hyjnë në tendera apo negociata me klientë të huaj, firmat shqiptare duhet të jenë të përgatitura me dokumentacion të qartë që dëshmon kapacitetin dhe përvojën e tyre.

Kjo përfshin profile profesionale të stafit kyç, raste konkrete pune dhe referenca të verifikueshme.

Po aq e rëndësishme është edhe adresimi i çështjeve të sigurisë së të dhënave, përmes certifikimeve si ISO 27001, ose të paktën planeve të dokumentuara për arritjen e tyre, si dhe përgatitja e marrëveshjeve për përpunimin e të dhënave në përputhje me kërkesat e BE-së.

Nga ana teknologjike, përdorimi i mjeteve për automatizimin e proceseve, përpunimin e faturave dhe bashkëpunimin e sigurt me klientët është tashmë standard. Standardizimi i konfigurimeve kontabël dhe i sistemeve ERP ndihmon në përshpejtimin e integrimit të klientëve të rinj dhe ul kostot e tranzicionit.

Edhe modelet e çmimit luajnë rol të rëndësishëm në konkurrueshmëri, sqarojnë Financat. Në praktikë përdoren modele të ndryshme, nga tarifimi për transaksion, i përshtatshëm për shërbime si përpunimi i faturave, te tarifimi për staf të dedikuar ose modele të kombinuara me bazë fikse dhe komponentë variabël.

Përvoja e tregut tregon se klientët preferojnë gjithnjë e më shumë modele çmimi që lidhen drejtpërdrejt me vëllimin e punës dhe cilësinë e shërbimit të ofruar, duke e bërë transparencën dhe matshmërinë elemente kyç për suksesin afatgjatë.

Në këtë mënyrë, ndërtimi i një modeli të qëndrueshëm eksporti për shërbimet kontabël nuk është vetëm çështje kostoje, por kombinim i strukturës organizative, besueshmërisë profesionale, teknologjisë dhe një pozicionimi të qartë në tregjet ndërkombëtare./Monitor.al


Shtuar 27.12.2025 08:48