Pas dy orësh në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Benet Beci del nga SPAK/ Kryebashkiaku i Shkodrës “kyç” gojën para gazetarëve

Kryetari i Bashkisë Shkodrës, Benet Beci, u paraqit pasditen e së premtes (19 dhjetor) në Prokurorinë e Posaçme, ku qëndroi për rreth dy orë. Pas daljes, Beci u përball me gazetarët, por nuk bëri asnjë deklaratë, duke “kyçur” gojën dhe shmangur pyetjet mbi arsyet e paraqitjes së tij.

Kryebashkiaku socialist është nën hetim nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike. Procedimi penal ndaj tij u regjistrua më 23 tetor 2024, ndërsa më 23 prill 2025 prokurori Dritan Prençi e shpalli të pandehur.

Më herët, ai është pyetur nga prokurorët dhe ka dhënë shpjegimet lidhur me çështjen që po hetohet. Benet Beci ka mbajtur më parë detyrën e drejtorit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, si dhe për disa vite ka qenë drejtor i KESH-it, post nga i cili u largua në vitin 2021, kur kandidoi për deputet të Partisë Socialiste në Qarkun e Shkodrës.

Konkretisht, Beci akuzohet për tenderin me vlerë 700 mijë euro të vitit 2019, me objekt zhvillimi strategjik i sektorit energjitik (projekt kërkimor). Bashkë me Benet Becin, nën hetim për këtë tender janë marrë edhe disa zyrtarë të tjerë me rol në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave.


Shtuar 19.12.2025 17:30