Uniformat blu, kanë vënë në pranga një 36-vjeçar, i cili rreth tre javë më parë tentoi të vriste me armë zjarri shtetasin Marilen Jata, në zonën e Institutit në Tiranë.
Autori i dyshuar, Fatmir Frroku, u lokalizua dhe vendos në pranga në bulevardin “Nënë Tereza”.
Gjithashtu, policia ka arrestuar dy përkrahësit e dyshuar të tij, të rinjtë Izet Leka dhe Marsildo Ndoja. 32-vjeçari Izet Leka, akuzohet se ndihmoi të largohej nga vendngjarja, kur kreu krimin, ndërsa 30-vjeçari shoqërohej me të, në momentin e ndalimit.
“Si rezultat i punës informative dhe ndjekjes së kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, me objektiv kapjen e autorit të plagosjes me armë zjarri, të shtetasit M. J., në rrugën “Ramadan Citaku”, më datë 23.11.2025, u finalizua operacioni “Akuza”.
Në kuadër të operacionit, u lokalizuan dhe u ndaluan shtetasit:
-F. F., 36-vjeç, pasi Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;
-I. L., 32-vjeç, pasi Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”;
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi M. N., 30-vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi F. F. ka plagosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin M. J., dhe pas krimit është ndihmuar nga shtetasi I. L., për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
36-vjeçari u kap pas ndjekjes së automjetit me të cilin ai lëvizte bashkë me shtetasin M. N., nga Instituti deri në bulevardin “Nënë Tereza””, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
