Aksident fatal me një të vdekur në kantierin e shkollës në Elbasan, arrestohet administratori

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Marius Saliaj, 33-vjeç, administrator dhe drejtues teknik i punimeve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Arrestimi u krye pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur ditën e djeshme, gjatë punimeve për rikonstruksionin e një shkolle në fshatin Polis i bashkisë Elbasan.

Sipas të dhënave paraprake, punonjësi Shpëtim Mejdani, 57-vjeç, dyshohet se ka rënë nga një lartësi gjatë kryerjes së punës dhe, për pasojë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për verifikimin e respektimit të masave të sigurisë teknike në kantier.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme ligjore.


Shtuar 13.12.2025 11:49