Policia e Tiranës njoftoi sot se kishte proceduar penalisht kryetarin e “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, për zaptim të paligjshëm të hapësirës para Kryeministrisë, ku po proteston prej dy ditësh në një formë aspak të zakontë.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i vetë politikanit, duke deklaruar se nuk do tërhiqet nga misioni i tij dhe protesta.
“Më paskan proceduar penalisht! Më paskan dekoruar me një procedim penal sepse paskam bllokuar qarkullimin në Tiranë dhe lëvizjen e lirshme të njerëzve. Dhe e ka bërë këtë ai segmenti i Policisë që mbështet narkotrafikun dhe Edi Ramën”, shprehet ai mes të tjerash.
Dhe më tej ai nuk e kursen ironinë për mazhorancën dhe Policinë.
“Vodhën 53 milionë euro te Tuneli i Llogarasë, por qenka problem që unë protestoj dhe më ndjekin penalisht. Por protestat nuk do ndalojnë, kam protestuar me qindra e mijëra herë dhe do vijoj të protestoj”, thotë kreu i “Shqipëria Bëhet”, teksa ndodhet nga sheshi i protestës.
Dhe ai e vijon ironinë e tij ndaj qeverisë, duke theksuar se:
“Pasi luftuan krimin e organizuar, trafikun e drogës, pasi ndaluan krimet dhe vrasjet në shkolla ku të mos theren më 14-vjeçarët, më proceduan mua penalisht. Një meme e madhe për qeverinë, një gallatë, që duhet penë shumë e mprehtë për ta shkruar. Se si nuk duhet të qeverisim kështu në të ardhmen”.
Lapaj nuk kursen akuzat ndaj qeverisjes edhe për aferat korruptive, si tuneli i Llogarasë dhe rruga Qukës-Qafë Plloçë, duke nënvizuar se teksa abuzojnë me paratë e popullit, Policia dhe qeveria procedojnë atë penalisht për protestën, duke harxhuar bojë dhe letër.
Ne protestën po e bëjmë në trotuar e jo në rrugë, s’e di çfarë trafiku kam bllokuar. Thonë se kam vendosur çadra, ne kemi bërë kërkesë sipas ligjit për tubim, sipas Kushtetutës, por ata i hoqën çadrat pa u vënë. Për turpin e madh të tyre, në një kohë kur janë nën akuzë se kanë vjedhur 53 mln euro te tuneli i Llogarasë, qenkam unë problemi e më ndjekin penalisht. Kanë harxhuar 260 milionë euro për të ndërtuar në 16 vite rrugën Qukës-Qafë-Plloçë dhe ajo u shembet atje. Pastaj kanë letër, bojë e kohë për të më kallëzuar penalisht pse protestoj. Nuk më trembin mua, kjo është dekoratë për mua, se këta janë qeveria më komike në botë. Nuk më intimidojnë dot”, thotë ai.
Protesta e pazakontë e Lapajt para Kryeministrisë
Prej dy ditësh, kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” ka zgjedhur të protestojë para kryeministrisë, duke kaluar natën aty.
Por sot policia njofton se ka referuar materialet në Prokurori për Lapajn, pasi dyshohet se ka bërë grumbullime dhe ka zaptuar hapësirën publike përpara godinës së Kryeministrisë, duke penguar qarkullimin e lirë të lëvizjes.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori për shtetasit: A. L., pasi dyshohet se ka bërë grumbullime dhe ka zaptuar hapësirën publike përpara godinës së Kryeministrisë, duke penguar qarkullimin e lirë të lëvizjes”, sqaron policia.
Kujtojmë që mbrëmjen e kaluar Adriatik Lapaj dhe disa protestues të tjerë kanë vendosur çadra në shesh, ndërsa policia u ka kërkuar që t’i heqin dhe të largohen nga zona.
