Vrasja e Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit në Rinas/ Lirohet personi i shoqëruar, çfarë deklaroi në polici

Personi i shoqëruar mbrëmjen e së martës (9 dhjetor) nga policia në lidhje me atentatin e Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe oficeri i AMP, Muçi Shalijani, është liruar pasi u mor në pyetje për disa orë.

Sipas burimeve, mësohet se 35-vjeçari me iniciale B.Xh është banor i zonës në fshatin Halil ku u dogj makina “Toyota” e autorëve.

I riu ka banesën shumë pranë ku u dogj makina, por në deklarimet e tij ka pohuar se në atë momente nuk ndodhej në shtëpi dhe në këtë formë ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, apo të ketë parë lëvizje të autorëve të mundshëm.

Shoqërimi i tij për t’u marrë në pyetje u bë pasi më herët rezulton i dënuar për vjedhje me dhunë.

1 muaj pas atentatit, policia është përqendruar në marrjen në pyetje të personave të ndryshëm që mund të kenë dijeni, por deri në këtë fazë nuk ka autorë apo porositës të identifikuar.

Në atentatin e ndodhur mesditën e 11 nëntorit u vra Gilmdano Dani dhe pak ditë më vonë ndërroi jetë në spital miku i tij Muçi Shaljani. Ata sapo ishin kthyer nga Barcelona, kur atentatorët u zunë pritë te rrethrrotullimin i Rinasit.

Armët e gjetura në mjetin e djegur s’janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale!

Ndërkohë, policia ka në duar edhe përgjigjen e ekspertizës së armëve të gjetura në makinën e djegur ku sipas burimeve, mësohet se ato nuk janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Pas atentatit në fshatin Zall u zbulua një banesë me arsenal armësh në pronësi të Ylli Zalla e që u shpall në kërkim.

Hetuesit ngritën dyshimet se autorët armët mund ti kishin siguruar aty, por ekspertiza ka vërtetuar të kundërtën.


Shtuar 10.12.2025 11:03