Policia e Shkodrës ka vënë në pranga Altin Shpendin si person të dyshuar se ka kërcënuar me armë zjarri një të ri 20-vjeçar në zonën pranë Stacionit të Trenit. Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:00, kur qytetarët kanë njoftuar për të shtëna në ajër.
Pas marrjes së informacionit, efektivët kanë ndërhyrë menjëherë, kanë kontrolluar perimetrin dhe kanë identifikuar autorin e mundshëm të incidentit. Hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari ka qëlluar një herë në ajër gjatë konfliktit me të riun, e më pas është larguar, por është kapur brenda një kohe të shkurtër nga patrullat.
Njoftimi:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, të mbështetura nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Tre Heronjtë”, një shtetas kishte kanosur me armë zjarri një shtetas tjetër, kanë organizuar punën për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.
Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit A. Sh., 26 vjeç.
Nga veprimet e para procedurale, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. Sh. ka kanosur shtetasin Xh. G., 20 vjeç, duke qëlluar me armë zjarri, automatik, në ajër.
Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur dhe gjetjen e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se 26-vjeçari qëlloi në ajër gjatë konfliktit.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

