Ditën e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, akuzoi mazhorancën nga foltorja e Kuvendit se është e zhytur në afera korruptive dhe skandale, teksa kryeministri dhe zv/kryeministrja po i shmangen llogaridhënies dhe po përpiqen të ndikojnë te Gjykata Kushtetuese.
Ai e cilësoi Parlamentin fals dhe të ngjashëm me kohën e diktaturës së Enver Hoxhës dhe ku aktualisht pushtetet kontrollohen nga kreu i qeverisë.
“Parlament fals në regjimin e një njeriu që ka marrë çdo pushtet. Njeriu i cili arrin të bllokojë vendimet e gjykatave dhe prokurorisë për vjedhjet monstruoze të qytetarëve. Një njeri që ushtron presion të tmerrshëm tek Gjykata Kushtetuese. Ka vendosur të fshehë të gjitha shpenzimet e tij, si Enver Hoxha.
Kjo praktikë ka ekzistuar vetëm në diktaturën komuniste, vetëm për Enverin, jo për Mehmetin, po për Enverin llogaritë ishin në një llogari të veçantë që përveç Nexhmies askush tjetër s’i kontrollonte. Ky është Parlamenti shqiptar, Parlamenti që mblidhet në ditën më të zezë të akteve antidemokratike”, tha Berisha nga foltorja.
Më tej, ai deklaroi se ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, është kapur në vjedhje dhe abuzime me tenderët, kurse mesazhet në telefonin e Berberit zbuluan skemën korruptive, ku sipas tij është i përfshirë edhe kryeministri.
Berisha akuzoi qeverinë sipas raportit të Bankës Botërore, se vjedh 90% të fondeve të ndërtimit.
“Ndërkohë që një ministër është mbërthyer në të gjithë skemën e saj nga mesazhet, fotot, dokumentet etj. etj., të gjetura në telefonat e Ervis Berberit. Ndërkohë që një kryeministër është kapur në çark si miu në telefonat e Berberit, ku vërtetohet se oferta 140 mln euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u zëvendësua me ofertën 190 mln euro të kompanisë turke pas udhëtimit të Ankara të Ramës me atë që quhet Lubi Balluku. Ndërkohë që vërtetohet nga Banka Botërore se 90% e të gjitha fondeve të ndërtimeve vidhen”, u shpreh kreu i selisë blu.
