Ndarja nga jeta parakohe në moshën 40-vjeçare e këngëtarit Shpat Kasapit, ishte tronditës për familjarët, miqtë dhe publikun.
Kasapi ndodhej në Itali së bashku me të shoqen dhe djalin e tyre 4-vjeçar, për një kontroll mjekësor për të birin, kur në orët e vona të së martës është ndjerë papritur keq dhe ka ndërruar jetë.
Në një intervistë për gazetaren e Top Channel Ana Kurti, vëllai i tij, Albini, u shpreh se ndihma e parë mjekësore i është dhënë në banesë, por nuk ka mundur që të mbijetojë.
Ai tha se deri tani dyshohet se shkak për ndarjen nga jeta është bërë një arrest kardiak.
“Lajmin e kemi marrë në orën 23:30- 00:00 të së martës. Na ka ardhur lajmi nga Italia, nga një provincë e Milanos, ku shpati para dy ditësh bashkë me gruan e tij kanë çuar çunin për një kontroll. Ka qenë mirë, por në darkë ka pasur pak probleme me stomakun dhe shtrëngime në gjoks, ka pushuar pak, dhe më pas ka pasur shqetësime. Besojmë se ka pësuar atak, dhe ka ndërruar jetë në moment”, u shpreh ai.
Në gjendje të rënduar dhe të shokuar nga lajmi, ai tha se po shpresonin që ky lajm që u erdhi nga Italia të mos ishte i vërtetë, por për fat të keq vdekja e tij u konfirmua.
I pyetur nëse më parë këngëtari ka pasur probleme shëndetësore, vëllai i tij tha se ka pasur disa shqetësime të vogla nga zemra, por jo diçka serioze.
“Nuk ka pasur diçka të rrezikshme, gjëra normale. Ka pasur dhe një herë pak me zemrën probleme, një shtrëngim, por jo diçka serioze. Ndihma e shpejtë ka ardhur te banesa ku kanë qenë dhe e kanë marrë, por a ka ndërru jetë në banesë, rrugës apo në spital, nuk e kemi ende këtë informacion të sigurt, por të sigurt kemi që ai nuk është më mes nesh”, tha ai.
Trupi i tij ndodhet në Itali, ndërsa në vijim pritet që të kryhen procedurat për të mbërritur pranë familjarëve.
“Trupi ndodhet momentalisht në spital. çuni dhe nusja janë në Itali për momentin, janë në gjendje shokuese, shpresojmë të vijnë më shpejt… të na vijë dhe kufoma shpejt”, shtoi vëllai.
Lajmin ka qenë e vështirë për t’ia dhënë nënës së këngëtarit.
“Babanë ne nuk e kemi, nëna para pak kohësh e ka kuptuar se më nuk është me ne, nuk ia tregonim dot lajmin e hidhur. Kjo është rruga e gjithë njerëzve, por ai na shkoi më i ri, na ka lënë pa fjalë”, u shpreh Albini.
“Falënderojmë shumë njerëzit që na kanë telefonuar, për angazhimin dhe dashamirësve, shoqërisë së Shpatit, të gjithë anembanë… na ka lënë emocionalisht keq”, e mbylli ai intervistën.
