Ashtu sikurse paralajmëroi kryeministri Edi Rama, qeveria vendosi në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për çështjen e Belinda Ballukut.
Në kërkesën dorëzuar në Kushtetuese, Këshilli i Ministrave, kërkon shpalljen si antikushtetues të vendimit të Gjykatës së Posaçme, që caktoi dy masa ndaj zv.kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Rama shkoi edhe më tej, kur e konsideroi vendimin e Gjykatës speciale një akt brutal dhe ndërhyrje të punët e ekzekutivit.
Gjykata e Posaçme mbi bazën e kërkesës së SPAK, vendosi të pezullojë nga detyra e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, zonjën Balluku dhe t’i ndalojë të drejtën për të dalë jashtë vendit.
Balluku është e pandehur nga SPAK, për akuzën e shkeljes së barazisë në tenderat për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, ndërsa për paracaktim të tenderit loti 4 unaza e Madhe.
Balluku dhe dy vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi do të dalin të shtunën përpara Gjykatës së Posaçme ku do t’u komunikohen masat e sigurisë. Gjyli dhe Elezi janë nën masën e arrestit në shtëpi. “News24”, siguroi sot vendimin e Gjykatës së Posaçme për zëvendëskryeministren, ndaj të cilën u vendosën dy masa, pezullim nga detyra dhe bllokim të pasaportës. Në vendim sqarohen dhe motivet e dy masave të dhëna.
Sipas gjykatës, Balluku, për shkak të detyrës që ushtron, vë në rrezik marrjen e provave. Madje aty thuhet e ajo mund të kryejë të njëjtat procedura, që kanë rezultuar më herët në shkelje. Po ashtu, në vendimin e GJKKO, sqarohet se bllokimi i pasaportës bëhet për arsye se e pandehura mund të ketë rrezik që të arratiset.
DEKLARATA E RAMËS
Kryeministri Edi Rama foli në fund të konferencës së përbashkët me komisioneren e BE për Zgjerimin, Marta Kos, për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku. Rama u shpreh se do të kërkojmë mbrojtjen e funksionimit të cenuar të qeverisë vetëm te drejtësia, më konkretisht në Gjykatën Kushtetuese.
Ai theksoi se për sa kohë të jetë në drejtim të vendit, do të funksionojë në këtë mënyrë. “Do të kërkojmë mbrojtjen e funksionimit të cenuar të qeverisë vetëm te drejtësia, në Gjykatën Kushtetuese. Këta jemi ne. Ky jam unë. Dhe kështu do jetë deri në fund, sa kohë që unë kam privilegjin të udhëheq Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE. Mbrojtja e pavarësisë së re dhe jo të përkohshme është prioriteti ynë absolut”, tha ai.
