Trajneri Armir Grima: Eliminatore perfekte për Shqipërinë, Mitaj xhevahir, Broja kthehet më i fortë

Armir Grima, trajneri i kombëtares shqiptare të femrave së fundmi ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”.

Ish-portieri i njohur është ndalur tek ecuria e skuadrës që ai drejton dhe rritja e nivelit të këtij sporti në vendin tonë.

Po ashtu, shkodrani komenton edhe arritjet e kombëtares së meshkujve e drejtuar nga Silvinjo. Ndër të tjera ai nuk harron as Superioren dhe në veçanti Vllazninë, ku thekson se shkodranët po luajnë një futboll cilësor, teksa shprehet me superlativa për Edi Martinin.

Duke e cilësuar si njeriun më të duhur që mund të dërgojë Vllazninë drejt fitimit të titullit kampion.

Grima, një fitore 3-0 kundër Qipros së fundmi për ekipin tuaj dhe Liga B e arritur. Krenar për vajzat e kombëtares kuqezi?

Absolutisht që po dhe besoj se e merituam triumfin me Qipron, kjo sepse ia komplikuam vetes punën. Pasi çdo gjë duhej të mbyllej që në ndeshjen e parë, ku po kryesonim 0-2 dhe u përmbysëm 3-2, megjithatë i tillë është futbolli. Dominuam në “Air Albania” duke fituar 3-0 e tashmë jemi në Ligën B, ku do kemi kundërshtarë akoma më të fortë në ndeshjet e marsit. Por, ne jemi gati të japim sërish më të mirën tonë dhe falë federatës dhe punës së këtyre vajzave kemi ecur përpara. Ka ende vend për përmirësim, por rritja është lehtë e dallueshme nga edicioni në edicion dhe kjo na motivon të përmirësohemi akoma më tepër çdo herë.

Po kombëtares së drejtuar nga Silvinjo, çfarë note do t’i vije për këto eliminatore?

Do thosha eliminatore në kufijtë e perfektes për Shqipërinë. Tashmë skuadra ka kaluar momentin disi të vështirë që erdhi pas europianit e po luan futboll bindës. Duke treguar veten në çdo fushë dhe ndaj çdo kundërshtari, ku Shqipëria nuk luan vetëm në mbrojtje siç jemi mësuar ta shohim, por ka guxim e di të shprehet në fushën e lojës. Them se kombëtarja ka arritur diçka historike me kualifikimin në “play off” të kualifikueseve të Botërorit e kam besimin se do tregojë cilësi edhe aty, pavarësisht kundërshtarit që do ketë përballë në muajin mars.

Një koment për shkodranët e kuqezinjve, Mitaj, Hysaj dhe Broja?

Jo vetëm këta 3 futbollistë, por të gjithë që zbritën në fushë besoj se treguan më së miri cilësitë e tyre. Me që u përmendën këta 3 në veçanti do të thosha se Mitaj është “xhevahir” i kombëtares sonë dhe këtë e tregojnë edhe vlerësimet nga specialistët ndërkombëtarë. Hysaj po ashtu është rikthyer në formën më të mirë, duket si një rini e dytë për të e për këtë me vjen shumë mirë. Ndërsa ndiej keqardhje për Brojën, nuk ka pasur fat me dëmtimet dhe shpresoj të rikthehet më i fortë se kurrë. Ai është një vlerë e padiskutueshme e kombëtares kuqezi.


Shtuar 21.11.2025 08:40