Grupi islamist palestinez Hamas ka kritikuar një projektrezolutë të Këshillit të Sigurimit të mbështetur nga SHBA- të mbi të ardhmen e Gazës, duke e quajtur atë një “përpjekje për të imponuar tutelën ndërkombëtare” në territor. Hamasi dhe grupe të tjera palestineze thonë se shohin “rreziqe” në projektrezolutën, e cila bën thirrje për vendosjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi.
“Marrëveshja e propozuar hap rrugën për dominim të jashtëm në vendimmarrjen kombëtare palestineze, duke transferuar administrimin e Gazës dhe projektet e rindërtimit në një entitet ndërkombëtar mbikombëtar me kompetenca të gjera — duke i hequr në mënyrë efektive palestinezëve të drejtën për të menaxhuar punët e tyre”, tha grupi në një deklaratë.
Sipas Hamasit, përpjekjet humanitare duhet të “kryhen përmes institucioneve të përshtatshme palestineze nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara” dhe “të bazuara në respektin për sovranitetin palestinez dhe nevojat e popullsisë”.
Ndihma nuk duhet të përdoret për të margjinalizuar institucionet palestineze, tha grupi. Ai gjithashtu konfirmoi se hedh poshtë “çdo kusht që lidhet me çarmatimin e Gazës”.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së po diskuton sot situatën në Lindjen e Mesme, një muaj pasi hyri në fuqi një armëpushim pas më shumë se dy vitesh lufte në Gaza. Projektrezoluta e administratës amerikane pritet gjithashtu të jetë në axhendë.
Ajo mbështetet nga aktorë rajonalë, përfshirë Egjiptin, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistanin, Arabinë Saudite, Jordaninë dhe Turqinë, ndër të tjera.
Vendet perëndimore kanë bërë thirrje që plani i paqes në Gaza të sigurohet përmes një mandati të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Përveç çarmatosjes së Hamasit, ky plan parashikon një fazë të dytë me përfshirjen e ushtarëve të huaj për të stabilizuar enklavën bregdetare dhe një qeveri kalimtare të përbërë nga teknokratë palestinezë.
