Gjykata e Posaçme urdhëron SPAK të hetojë deputetin e PD, ish-prokurorin Arjan Ndoja

Gjyqtari i posaçëm Erjon Çela ka urdhëruar SPAK që të regjistrojë procedim penal për deputetin e Partisë Demokratike, ish-prokurorin Arjan Ndoja. Mësohet se togat e zeza kanë siguruar informacion për përfshirjen e Ndojës në disa vepra të rënda penale, ndaj kërkojnë hetimin e tij.

Me kërkesë të gjyqtarit Erjon Çela, prokurorët e posaçëm duhet të regjistrojnë procedim penal dhe të nisin hetimet për ish-kolegun e tyre që 6 vite më parë ra në atentat dhe në zgjedhjet e 11 Majit 2025, u zgjodh deputet i Durrësit në radhët e Partisë Demokratike.

Arjan Ndoja dyshohet për kryerjen e disa veprave penale, si “Pastrim i parave” dhe “Fshehja apo mosdeklarimi i pasurisë”.

Gjyqtari Erjon Çela pasi ka marrë në shqyrtim çështjen penale me objekt “Pushimin e hetimeve në lidhje me procedimin 1804 të vitit 2023”, ardhur për kompetencë lëndore në SPAK nga Gjykata e Shkallës së parë Tiranë, ka konstatuar pavlefshmërinë absolute të kërkesës për pushimin e hetimeve.

Ai ka vendosur të kthejë aktet hetimore pranë SPAK duke e urdhëruar organin e akuzës që të regjistrojë procedim penal dhe të nisë hetimet.

Gjykata e Posaçme ka konstatuar se Arjan Ndojës i ka ndryshuar statusi gjatë gjykimit, sepse aktualisht është deputet, dhe kompetenca i takon SPAK për hetime, jo Prokurorisë së Tiranës, e cila më parë e hetonte në cilësinë e ish-prokurorit.

Arian Ndoja përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe punoi fillimisht si prokuror në Prokurorinë e Durrësit. Në vitin 2004, Ndoja u largua nga prokuroria dhe punoi si avokat deri në vitin 2008, kur u rikthye në sistem. Kur nisi detyrën, ai ishte i pastrehë, ndërsa në vitin 2015 kishte 24 shtëpi, 5 bodrume e garazhe dhe disa makina.


Shtuar 14.11.2025 16:17