Mbyllet burgu i Bënçës/ Rreth 100 punonjës mbeten pa punë, Tepelena përballet me goditje sociale

Sipas burimeve pranë institucionit, burgu i Bënçës në Tepelenë është mbyllur zyrtarisht, duke shkaktuar një situatë të rëndë sociale dhe ekonomike në zonë.

Rreth 70% e personelit kanë dhënë dorëheqjen, pasi nuk kanë mundur të pranojnë transferimet në qytete të tjera, ndërsa 30% e mbetur vijojnë punën vetëm për një periudhë tranzitore prej rreth tre muajsh.

Mbyllja e institucionit ka goditur ndjeshëm komunitetin lokal, pasi afro 100 punonjës kanë mbetur pa punë në një zonë ku mundësitë e punësimit janë të kufizuara.

Banorët e konsiderojnë situatën si një “goditje të dyfishtë”, veçanërisht për familjet që ndër vite janë mbështetur ekonomikisht te paga e këtij institucioni.

Vendimi për mbylljen e burgut, i cili ka mbërritur vetëm një ditë pas zgjedhjeve, ka shkaktuar debat dhe pakënaqësi.

Punonjës dhe banorë të zonës e konsiderojnë mbylljen të papritur dhe të paqartë në argumentim, ndërsa kërkojnë që institucionet qendrore të paraqesin një plan për të mbështetur familjet e prekura.

Aktualisht po vijojnë procedurat e dorëzimit të godinës dhe transferimit të të dënuarve. Ende nuk ka informacion se çfarë destinacioni do të marrë objekti pas mbylljes, as nëse do të ketë alternativa punësimi për personelin e lënë pa punë.

Mbyllja e burgut vjen në një periudhë kur Tepelena përballet me papunësi të lartë dhe largim të të rinjve drejt qyteteve të mëdha apo jashtë vendit.

Burgu i Bënçës, një institucion me histori mbi 60-vjeçare

I ndërtuar në vitet 1960, Burgu i Bënçës ka qenë një nga institucionet më të veçanta penitenciare në vend, me një kapacitet prej rreth 70 të dënuarish.

Në periudha të ndryshme ai ka funksionuar si repart sigurie, ndërsa shpeshherë ka shërbyer si burg “rezervë” i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjatë dekadave, institucioni ka mbajtur të dënuar për vepra të ndryshme penale dhe është konsideruar një prej burgjeve më të njohura të jugut të vendit.

Për Tepelenën dhe zonat përreth, ai ka qenë një punëdhënës i rëndësishëm, duke siguruar të ardhura të qëndrueshme për dhjetëra familje për shumë vite.


Shtuar 14.11.2025 11:08