“Shqipëria është një vend i sigurt dhe ka dalë nga të gjitha listat e zezë”, kështu e nisi fjalën e saj ministrja e Brendshme Albana Koçiu këtë të martë në Komisionin e Sigurisë. Ndërkohë, vetëm pak orë pas kësaj deklarate të saj një atentat i përgjakshëm u regjistrua në afërsi të Aeroportit të Rinasit nga ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, dhe i plagosur shoferi i automjetit Muçi Sheqeri alias Shaljani.
“Benzi” luksoz u bë “shoshë” nga breshëria e plumbave, në mes të ditës dhe në mes të njerzve. Në afërsi të një lokacioni që supozohet të ketë mbrojtje dhe kontroll maksimal.
Këtu kjo ngjarje e paprecedentë kriijon një paradoks me atë çfarë u tha nga ministrja pak më parë ditën e sotme: “Vendi ynë mirëpriti 12 milionë turistë, si dhe qytetarë të huaj që hapin biznese apo blejnë prona këtu… Kemi rritur ndjeshëm sigurinë, duke arritur 94% zbulueshmëri për veprat penale”, ka deklaruar ajo vetëm disa orë më pare, duke shtuar se është ulur numri i krimeve të rënda. Por ngjarja e sotme nuk dëshmoi këtë.
Kujtojmë se Gilmando Dani sa kishte arritur në Shqipëri nga Barcelona në aeroportin e Rinasit, ku e ka pritur miku i tij. Persona të paidentifikuar të cilët ishin duke qarkulluar me një automjet tip “Toyota” me targa greke qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të mjetit tip “Benz”.
Dani është një emër i njohur për drejtësinë dhe autoritetet e zbatimit të ligjit në Shqipëri, për shkak të marrëdhënieve të forta shoqërore me Emiljano Shullazin, si anëtar i grupit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i këtij të fundit.
Deklarata e Koçiut paraditen e sotme:
Shqipëria është një vend i sigurt, dhe kjo faktohet nga çdo raport ndërkombëtar. Vendi ynë mirëpriti 12 milionë turistë, si dhe qytetarë të huaj që hapin biznese apo blejnë prona këtu. Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza. Kemi rritur ndjeshëm sigurinë, duke arritur 94% zbulueshmëri për veprat penale. Në 20,19% të tyre janë zbardhur plotësisht. Janë konfiskuar dhe sekuestruar 65.5 milionë euro me burim nga kriminaliteti. Asnjë turist nuk është bërë viktimë e krimeve. Është ulur numri i krimeve të rënda, në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, nga 41 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janë reduktuar gjithashtu edhe aksidentet e rënda me 17% krahasuar me një vit më parë. Sa i përket krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, kemi bërë progres të dukshëm. Komisioni Europian ka deklaruar se Shqipëria ka shënuar përparime në këtë drejtim.

