Këngëtarja nga Tirana, Arsi Bako, u shpall fituese e çmimit kryesor “Diamanti Blu” në edicionin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK, me këngën “Rreze zjarr”, një krijim me frymë rock që u vlerësua nga juria me pesë anëtarë.
“Nuk e kam pritur, ishte emocion i papërshkrueshëm”, tha Bako pas triumfit, duke përshkruar këngën si motivuese dhe të përshtatshme “për çdo gjendje emocionale”.
Çmimin e dytë e mori Florent Abrashi me këngën “Unë dhe ti”, ndërsa në vend të tretë u rendit Arjeta Palushaj me “Andrra”.
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ndau çmimin kryesor, duke e cilësuar festivalin “një kontribut të rëndësishëm për trashëgiminë muzikore kosovare”.
Drejtori i festivalit, Rilind Gërvalla, njoftoi se edicioni i ardhshëm do të mbahet pa subvencion nga Ministria e Kulturës, dhe RTK do ta financojë vetë aktivitetin, duke e bashkuar me rikthimin e “Akordeve të Kosovës”. Ai shtoi se RTK po lobon për pjesëmarrjen e Kosovës në Eurovision.
Festivali, i mbështetur sivjet me 200 mijë euro, u zhvillua për tre net në “Sallën e djegur” të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur si Gjon’s Tears, Elvana Gjata dhe Tuna.
