“Përdori gjuhë fyese dhe kërcënuese”, Grupi Parlamentar i PD-së kërkon përjashtimin me 10 ditë nga Kuvendi të Taulant Ballës

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Sekretariatit të Etikës përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetit Taulant Balla.Në seancën e datës 6 nëntor, Taulant Balla ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj deputetëve të opozitës.

“Në seancën e datës 06.11.2025, në shkelje të plotë të etikës dhe gjuhës parlamentare, gjatë diskutimit të tij në foltoren e Kuvendit, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ndërkohë që fliste për miratimin e kalendarit dhe programit të punës së
Kuvendit, ndërmori një sulm me fyerje dhe gjuhë joparlamentare drejtuar deputetëve të opozitës.
Gjuha joparlamentare dhe fyese, që përfshinë fjalë “lehni”, “rraca e këtyre”, “ta tregoj unë ty”, “gënjeshtar”, etj., gjatë fjalës për kalendarin dhe programin, është shkelje disiplinore sipas nenit 65/1, pika 1, shkronja “a”, ku specifikohet se: “1.Masa disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhelose në seancë plenare deri në 10 ditë” i jepet deputetit: a) kur edhe pas tërheqjes së vëmendjes dhe dhënies së vërejtjes nga drejtuesi i seancës/mbledhjes, bën thirrje për përdorim dhune, pengon zhvillimin e rregullt të seancës plenare/ mbledhjes së komisionit, shkakton kaos në seancë plenare komision, fyen, kërcënon ose dhunon deputetët e tjerë, drejtuesin e seancës, anëtarët e Këshillit të Ministrave, të ftuarit ose persona të tjerë, apo përdor fjalë fyese për Presidentin e Republikës, Kryeministrin ose institucione të tjera shtetërore”.

Kjo sjellje e deputetit Taulant Balla është e përsëritur seancë pas seance, dhe mbetet në cdo rast i pa ndëshkuar. Fyerja dhe kërcënimi ndaj deputetëve të opozitës është papranueshëm dhe duhet të shoqërohet me masën disiplinore përjashtimin me 10 ditë nga
seanca plenare dhe komisionet parlamentare.
Prova për përdorimin e gjuhës jo parlamentare, fyese dhe kërcënuese, gjenden në faqen zyrtare të Kuvendit, në facebook, gjatë fjalës së deputetit Taulant Balla, lidhur me programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit.
Për të gjitha sa më lart, në mbështetje të nenit 65/1, pika 1, shkronja “a”, kërkojmë:
Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për shqyrtimin brenda afatit të kësaj kërkese.
Marrjen e masës disiplinore Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare për 10 ditë” ndaj deputetit Taulant Balla”, thuhet në kërkesë.


Shtuar 7.11.2025 12:56