Mbreti Charles i heq Princit Andrew të gjithë titujt dhe e dëbon nga rezidenca mbretërore

Pallati i Buckingham-it ka njoftuar se Mbreti Charles III, i ka hequr Princit Andrew titujt e mbetur dhe ka bërë me dije se e dobojë nga rezidenca mbretërore. Në një deklaratë, pallati tha se Andrew do të njihet si Andrew Mountbatten Windsor në vend të princit. Ky veprim vjen pas zbulimeve rreth marrëdhënies së Andrew me Jeffrey Epstein.

Buckingham Palace theksoi se ka nisur procesin zyrtar të heqjes së titujve, duke nënvizuar se familja mbretërore qëndron në krah të viktimave dhe të mbijetuarve të çdo forme abuzimi. Fëmijët e Princit Andrew, Princesha Beatrice dhe Princesha Eugenie, do të ruajnë titujt e tyre mbretërorë. Sipas mediave të huaja, Andrew nuk kundërshtoi vendimin e mbretit për tu zhveshur nga titujt dhe për tu larguar nga rezidenca e tij.

Deklarata e plotë e Pallatit:

Madhëria e Tij ka nisur sot një proces zyrtar për heqjen e titujve dhe nderimeve të Princit Andrew. Deri më sot, kontrata e qirasë e rezidencës ‘Royal Lodge’ i siguronte atij mbrojtje ligjore për të vazhduar të qëndronte aty. Tani ai është njoftuar zyrtarisht për ndërprerjen e kontratës dhe do të zhvendoset në një banesë private alternative. Këto masa konsiderohen të domosdoshme, pavarësisht se ai vijon të mohojë akuzat kundër tij. Madhëritë e Tyre duan të bëjnë të qartë se mendimet dhe keqardhja e tyre më e thellë kanë qenë dhe do të mbeten me viktimat dhe të mbijetuarit e çdo forme abuzimi.

Presioni ndaj pallatit për të larguar Andrew nga rezidenca Royal Lodge ishte rritur ndjeshëm, pasi më herët këtë muaj ai u detyrua të hiqte dorë edhe nga titulli i Dukës së Jorkut, për shkak të lidhjeve me Epstein dhe akuzave të Virginia Giuffre. Megjithatë, mbreti shkoi edhe më tej, duke e privuar Andrew nga titulli i princit, që e mbante që prej lindjes si djalë i Mbretëreshës Elizabeth II.

Në librin e saj, Giuffre shkruan se Andrew “besonte se ishte e drejta e tij trashëgimore të bënte seks me mua”. Publikimi i fragmenteve të librit shkaktoi reagime të ashpra, çka çoi në vendimin që Andrew të hiqte dorë jo vetëm nga titulli i Dukës së Jorkut, por edhe nga titujt: Kalorës i Madh i Urdhrit Mbretëror Viktorian (GCVO) Kalorës Mbretëror i Urdhrit të Lavdishëm të Garter-it Në rendin e trashëgimisë për fronin britanik, Princi Andrew aktualisht renditet i teti, pas Princit William, tre fëmijëve të tij, si dhe Princit Harry me dy fëmijët e tij.

Linja e trashëgimisë së kurorës britanike:

Princi i Uellsit William
Princi George i Uellsit
Princesha Charlotte e Uellsit
Princi Louis i Uellsit
Duka i Sussex – Princi Harry
Princi Archie i Sussex-it
Princesha Lilibet e Sussex
Andrew


Shtuar 30.10.2025 23:14